E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Shiroka Pula takon Begajn në Ohër: Asgjë nuk i ndan Kosovën dhe Shqipërinë

Shiroka Pula takon Begajn në Ohër: Asgjë nuk i ndan Kosovën dhe Shqipërinë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, në Ohër.

Takimi është zhvilluar në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi strategjik dhe integrimi euroatlantik.

Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria kanë lidhje të veçanta, të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët.“Ajo nënvizoi se nuk ka asgjë që i ndan dy shtetet, të cilat janë një zemër, një mendje dhe një komb, të bashkuara nga e njëjta frymë në të dy anët e kufirit”, thuhet në njoftim.

Presidentja ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, duke theksuar se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët.

Në takim është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian, të cilat, sipas Shiroka Pulës, mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit.Ajo ka vlerësuar përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj drejt integrimit evropian, duke nënvizuar nevojën për koordinim më të ngushtë ndërmjet dy shteteve.

“Presidentja Shiroka Pula vlerësoi se marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vazhdojnë të përkthehen në bashkëpunim konkret në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Shiroka Pula ka rikujtuar se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë po zbatohen.

Lini një koment