Friday, 26 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaShkeli perimetrin e sigurisë, gjobitet me 500 mijë lekë drejtuesi i mjetit lundrues në Borsh

Shkeli perimetrin e sigurisë, gjobitet me 500 mijë lekë drejtuesi i mjetit lundrues në Borsh

Policia Kufitare në Borsh ka ndërhyrë pas konstatimit të një mjeti lundrues që kishte shkelur perimetrin e sigurisë në zonën e plazhit, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin duke u larë në det.

Gjatë patrullimit në zonën e quajtur “Krorëz”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan mjetin lundrues që ishte futur brenda zonës së sigurisë, ku prania e tij përbënte rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Menjëherë pas ndërhyrjes, Policia ndaloi drejtuesin e mjetit dhe ndërmori procedurat administrative përkatëse.

Në përfundim të veprimeve, policia i vendosi atij një gjobë me vlerë 500.000 lekë të rinj, si dhe i bllokoi mjetin lundrues.

Policia e Shtetit bën me dije se shërbimet kufitare po vijojnë kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Në apel drejtuar përdoruesve të mjeteve lundruese, autoritetet kërkojnë respektimin e perimetrave të sigurisë dhe shmangien e hyrjes në zonat e dedikuara për pushuesit, për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për jetën e qytetarëve.

Lini një koment