Shkup, më 27 shtator: protestë “Jo në emrin tim” për ish-krerët e UÇK-së
Një protestë qytetare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbahet të dielën, më 27 shtator, në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të publikuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, tubimi do të nisë në orën 14:00 në Sheshin “Skënderbeu” në kryeqytetin maqedonas, nën moton “Jo në emrin tim!”.
Protesta organizohet në kuadër të një vale tubimesh që po zhvillohen në Kosovë dhe në diasporë kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat po gjykojnë ish-drejtuesit e UÇK-së.
Organizatorët ftojnë qytetarët të dalin në marsh protestues për të shprehur mbështetjen e tyre dhe kundërshtimin ndaj procesit gjyqësor në Hagë.
Më herët, tubime të ngjashme janë mbajtur në disa qytete të Kosovës, ndërsa në ditët në vijim priten edhe aktivitete të tjera solidarizuese.
Burimi: Klan Kosova