Shoqatat e turizmit në një zë kundër rritjes së TVSH-së: Humbasim konkurrueshmërinë, na stimuloni
Gjashtë shoqata të turizmit i janë drejtuar me një letër të përbashkët kryeministrit Edi Rama, Kuvendit dhe krerëve të grupeve parlamentare, siç njofton Shqiptarja.com, duke shprehur shqetësimin për propozimin e paketës fiskale 2027 që parashikon rritjen e TVSH-së për hotelet me 5 yje dhe për shërbimin e akomodimit nga 6% në 10%. Norma e reduktuar prej 6% është në fuqi që nga viti 2019, dhe shoqatat kërkojnë që ajo të mos preket.
Shoqatat theksojnë se turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, me një kontribut prej 17% të PBB-së dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në rreth 350,000 vende pune. Sipas tyre, rritja e TVSH-së do të kishte pasoja të menjëhershme dhe serioze, me efekt zinxhir negativ në të gjithë ekonominë, duke goditur jo vetëm hotelet dhe agjencitë, por edhe bizneset e lidhura me to.
Ato paralajmërojnë gjithashtu se Shqipëria do të humbiste konkurrueshmërinë në raport me vendet e rajonit, si Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Turqia, të cilat vijojnë të mbajnë norma të reduktuara të TVSH-së për turizmin. Në këto kushte, rritja e barrës fiskale do ta bënte ofertën shqiptare më pak tërheqëse për vizitorët e huaj.
Në letër, shoqatat i kërkojnë qeverisë që të ruajë normën e reduktuar prej 6% për turizmin, ose të paktën të mos e rrisë atë, duke e trajtuar si një investim strategjik dhe jo si një shpenzim. Letra mban firmat e gjashtë shoqatave: Shoqata e Operatorëve Turistikë dhe Agjencive të Udhëtimit të Shqipërisë; Shoqata e Guidave Turistike të Shqipërisë; Shoqata e Restoranteve dhe Bareve të Shqipërisë; Shoqata e Hoteleve dhe Restoranteve të Shqipërisë; Shoqata e Turizmit të Shqipërisë; dhe Shoqata e Turizmit Rural të Shqipërisë.