E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Shpërthimi në Elbasan, Llatja për ABC News: Ja sa do të përfitojnë banorët e pallatit nga bonusi i qirasë (VIDEO)

Shpërthimi në Elbasan, Llatja për ABC News: Ja sa do të përfitojnë banorët e pallatit nga bonusi i qirasë (VIDEO)

Bashkia e Elbasanit do të pajisë me bonus qiraje familjet e prekura në pallatin e shpallur tashmë të pabanueshëm si pasojë e shpërthimit nga rrjedhja e gazit.

Në një intervistë për ABC News, kreu i Bashkisë së Elbasanit, Gledjan Llatja informoi mbi hapat që duhet të ndjekin banorët për përfitimin sa më shpejt të bonusit.

“Ditën e djeshme miratuam bonusin e qerasë për familjet e prekura. Pallati është shpallur i pabanueshëm nga Inspektoriati i Ndërtimit. Pagesa do të nisë sapo ata të pajisen me kontratë të banesës me qira. Për familjet me banesa 1+1 bonusi do të variojë nga 150 -250 mije lekë , ndërsa për banesat për 2+1 nga 250-350 mijë lekë. Sapo të plotësojnë dokumentacionin të paraqesin kontratën e banesës së marrë me qira do të lëvrohet shumë e bonusit të qerasë.” u shpreh Llatja, ndërsa theksoi se pavarësisht se bonusi është miratuar 1-vjeçar ai garantoi banorët se do të vijojë deri në sistemimin e tyre në banesa.

“Nuk kemi ende një ekspertizë përfundimtare nga institut I ndërtimit. Një ditë më parë ka bërë masat përkatëse dhe më pas do të merret një vendim me specialistët përkatës. Ka pasur angazhim maksimal për përshpejtimin e procedurave. Çdo bashki në bazë të kuadrit ligjor ka një shumë për emergjencat civile. Bashkia Elbasan ka një vlerë të konsiderueshme, kemi buxhet të mjaftueshëm për çfarë do lloj skenari, sigurisht do të kërkohet edhe ndihma e qeverisë qendrore”, shtoi Llatja.

Në vijim kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e banorëve me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla.

“Kemi bërë mbledhje të vazhdueshme, me strukturat e zjarrfikësve, policisë, për verifikimin e ambienteve. Në këtë pallat bombola e gazit ishte në katin përdhes ndërsa banesa në katin e tretë. Po merren masa për pallatet shumëkatëshe. Kemi vendosur hidrantë, për të parandaluar çdo lloj situate problematike, sidomos në lagjet e vjetra të qytetit. Jemi duke punuar për evidentimin e çështjeve specifike Apelojmë banorët për kujdes, familjet që përdorin gaz, për ngrohje apo gatim është e mira të kenë pajisje që aktivizohen kur ka rrjedhje gazi. Ndaj kërkohet bashkëpunim me banorët por edhe me strukturat tona”, përfundoi ai.

Lini një koment