E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Shpërthimi tragjik në Elbasan me dy viktima, banorja rrëfen tmerrin: Menduam se ra tërmet! Na nxorën zjarrfikësit nga ball

Shpërthimi tragjik në Elbasan me dy viktima, banorja rrëfen tmerrin: Menduam se ra tërmet! Na nxorën zjarrfikësit nga ball

Një nga banoret e pallatit në Elbasan, ku më 4 nëntor ndodhi shpërthimi tragjik që u mori jetën dy personave, ka rrëfyer momentet e tmerrit në një intervistë për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH.

Ajo tregon se në momentin e shpërthimit ishte në gjumë së bashku me të ëmën. Fillimisht menduan se bëhej fjalë për një tërmet, por pak çaste më vonë panë flakët dhe kuptuan përmasat e ngjarjes. Pasi dera e banesës ishte bllokuar, ato u detyruan të dilnin në ballkon, ku mbetën të bllokuara nga hekurat.

Banorja rrëfen se u shpëtuan nga zjarrfikësit, të cilët po evakuonin banorët përmes ballkoneve. Ajo dhe e ëma u transportuan me ambulancë në spital, ku kësaj të fundit iu dha ndihma e parë dhe iu vendos oksigjeni.

“Nuk mund ta kalojmë. Jemi shumë të tronditur, sepse i gjithë mundi që kemi bërë për të punuar me zor, për të rregulluar gjërat, të çon deri aty sa të mbetesh jashtë, pa shtëpi. Ne ishim në gjumë, edhe unë, edhe mami, kur ndodhi shpërthimi. Në fillim menduam se ra tërmet, pastaj pamë flakët nga ana tjetër. Dera ishte e bllokuar dhe nuk mund të dilnim prej saj, ndaj dolëm në ballkon. Qëndruam aty, por ballkoni ishte i rrethuar me hekura dhe nuk mund të largoheshim. Na kapi edhe më shumë paniku. Pastaj pamë se po i nxirrnin të gjithë me shkallë nga ballkonet. Ishin edhe zjarrfikësit, të cilët po shuanin zjarrin me ujë. Na panë dhe na pyetën: ‘Çfarë bëni ju aty?’ Edhe ata na ndihmuan, na nxorën mua dhe mamin jashtë. Dy persona morën mamin dhe dy të tjerë mua. E hipën mamin në ambulancë dhe na çuan në spital. Atje mamin e vendosën me oksigjen dhe i dhanë ndihmën e parë”, u shpreh banorja.

Ajo kujton gjithashtu panikun e atyre momenteve, kur u detyruan të largoheshin pa marrë asgjë me vete.

“Ishim aq të tronditur, saqë mami nuk arriti as të merrte telefonin. E kupton? Dolëm me pizhame, unë dola zbathur. Aq shumë u tronditëm, sepse flakët ishin deri në qiell, ishte shembur gjithçka. Çfarë mund të mendoje në ato momente? Vetëm të shpëtoje kokën, për asgjë tjetër”, tha ajo.

Shpërthimi ndodhi në katin e tretë të pallatit dhe u pasua nga një zjarr i fuqishëm, që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe strukturore në ndërtesë.

Përveç dy viktimave, 10 banorë mbetën të dëmtuar dhe morën ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit.

Lini një koment