Shqipëri-Maqedoni e Veriut, arrihet marrëveshja “One Stop” për lehtësimin e kalimit kufitar
Është arritur këtë të shtunë, 27 qershor, marrëveshja ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të lehtësuar kalimin ndërkufitar mes qytetarëve të dy shteteve.
One Stop është marrëveshja më e re, e cila bën të mundur që qytetarët të kenë vetëm një ndalesë në pikat doganore. Brenda këtij muaji do të fillojë zbatimi i kësaj marrëveshjeje, fillimisht në doganën Qafë Thanë dhe muajin tjetër në doganën e Bllatës.
Janë rreth 4 mijë e 600 qytetarë në ditë në doganën e Bllatës dhe rreth 300 mijë makina që kanë kaluar brenda 5 muajve. Kjo si rezultat i hapjes së rrugës së Arbrit.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, zgjodhi pikërisht vendlindjen e tij për të nënshkruar këtë marrëveshje me homologun maqedonas, Pançe Toshkovski. Kjo marrëveshje do të lehtësojë si lëvizjen e lirë të qytetarëve, ashtu edhe të mallrave mes dy vendeve.
“Këtu jam sot bashkë me homologun tim maqedonas, Pançe Toshkovski, për të nënshkruar një marrëveshje që, në fakt, i bën si të papërfillshëm kufijtë midis dy vendeve tona. Por matet me sa pak pengesë krijojmë në kufijtë tanë për qytetarët mes dy vendeve. Kufijtë sot nuk duhen parë si mure ndarëse midis dy vendeve, ato duhet të jenë ura që lidhin dhe krijojnë sinergjinë e duhur për zhvillimin ekonomik. Nuk po i dobësojmë kufijtë tanë, përkundrazi po i bëjmë më të fortë e më të sigurt. Më të sigurt për shtetet tona dhe më të lehtë për qytetarët. Kjo marrëveshje, që ndërtohet mbi parimin “Një Ndalesë”, nënkupton më pak procedura, më pak pritje, më shumë efikasitet dhe më shumë siguri. Kjo nënkupton më shumë lehtësi për qytetarët dhe më shumë kohë për ta, më shumë mundësi për biznesin dhe më shumë mundësi zhvillimi për dy ekonomitë tona”, tha ai.