Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaShqipëria firmos Marrëveshjet Artemis në selinë e NASA-s, Hoxha: Një ditë krenarie për vendin

Shqipëria firmos Marrëveshjet Artemis në selinë e NASA-s, Hoxha: Një ditë krenarie për vendin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nënshkroi të hënën në selinë qendrore të NASA-s në Uashington Marrëveshjet Artemis, duke e bërë Shqipërinë pjesë të komunitetit ndërkombëtar të angazhuar për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, si dhe zëvendës-ndihmëssekretari i Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson.

Përmes këtij nënshkrimi, Shqipëria i bashkohet vendeve që kanë marrë përsipër të mbështesin parimet e eksplorimit dhe përdorimit paqësor të hapësirës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar të promovuar nga Marrëveshjet Artemis.

Ministri Hoxha e cilësoi këtë një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë dhe një hap drejt së ardhmes, duke theksuar rëndësinë që ka anëtarësimi në këtë nismë për shkencën, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Për Shqipërinë, ky moment është më shumë se një nënshkrim. Është një shprehje besimi te shkenca, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Një moment që krijon mundësi të reja për brezin tonë të ri dhe e lidh vendin tonë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen”, deklaroi Hoxha.

Sipas ministrit, nënshkrimi i Marrëveshjeve Artemis i shton një dimension të ri partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim edhe në fushat e shkencës, teknologjisë dhe eksplorimit hapësinor.

“Ky hap i shton gjithashtu një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke pasqyruar angazhimin tonë të përbashkët për inovacionin, progresin dhe bashkëpunimin në kufij të rinj”, u shpreh ai.

Në një postim në rrjetet sociale pas ceremonisë, Hoxha e cilësoi nënshkrimin si “një ditë krenarie për Shqipërinë”, duke theksuar se vendi tashmë është pjesë e një komuniteti ndërkombëtar në rritje, i cili synon eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës në dobi të njerëzimit.

“Shqipëria është gati të kontribuojë dhe të arrijë shumë më tej”, përfundoi ministri Hoxha.

Postimi i Ministrit Hoxha:

📍Washington D.C – Një ditë krenarie për Shqipërinë. 🇦🇱 Dje, në selinë qëndrore të NASA-s në Uashington, Shqipëria hodhi një hap tjetër drejt së ardhmes.

Në prani të Zëvendësadministratorit të NASA-s, Matt Anderson dhe Zëvendës-Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson, pata nderin të nënshkruaj Marrëveshjet Artemis (#ArtemisAccords), duke e bërë Shqipërinë pjesë të një komuniteti ndërkombëtar në rritje, të angazhuar për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës, ​​në dobi të gjithë njerëzimit.

Për Shqipërinë, ky moment është më shumë se një nënshkrim. Është një shprehje besimi te shkenca, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Një moment që krijon mundësi të reja për brezin tonë të ri dhe e lidh vendin tonë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen.

Ky hap i shton gjithashtu një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke pasqyruar angazhimin tonë të përbashkët për inovacionin, progresin dhe bashkëpunimin në kufij të rinj. 🇦🇱 🇺🇸

Shqipëria është gati të kontribuojë dhe të arrijë shumë më tej.

Lini një koment