Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaShqipëria priti 12% më shumë vizitorë në maj, rajoni verior shënoi rritje të lartë

Shqipëria priti 12% më shumë vizitorë në maj, rajoni verior shënoi rritje të lartë

Sektori i turizmit në Shqipëri ka shënuar rezultate pozitive edhe gjatë muajit maj 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, numri i vizitorëve që u akomoduan në hotele e bujtina u rrit mbi 12%, krahasuar me vitin e kaluar.

Numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri arriti në 361,401 gjatë majit 2026, duke u rritur me 12.4% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, sipas INSTAT.

Rritja u mbështet kryesisht nga vizitorët e huaj, numri i të cilëve u shtua me 12.7%, nga 243,985 në 274,967. Vizitorët rezidentë u rritën me 11.4%, duke arritur në 86,434.

Edhe netqëndrimet vijuan rritjen, por me ritëm më të ulët se numri i vizitorëve. Në total, ato u shtuan me 8%, ku netqëndrimet e të huajve u rritën me 8.6% dhe ato të rezidentëve me 6%. Rritja më e fortë u regjistrua në rajonin e Veriut, ku vizitorët jorezidentë u shtuan me 55.9%, nga 46,958 në 73,217. Në Jug, numri i të huajve u rrit me 16.6%, ndërsa në rajonin Qendër ra me 5.7%.

Zonat bregdetare pritën 156,958 vizitorë të huaj, 17.7% më shumë se në maj 2025. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele u rrit nga 28.7% në 29.8%.

Italia mbeti tregu kryesor i turistëve të huaj, me 19% të totalit, e ndjekur nga Kosova me 11%, Gjermania me 10%, Franca me 9% dhe Polonia me 6%.

Lini një koment