Shtyhet deri më 6 korrik afati i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Bujqësisë
Afati për aplikimet në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 është shtyrë me 10 ditë, duke u dhënë mundësi më shumë fermerëve të përfitojnë nga programi i mbështetjes financiare. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur dje për mediet se “vendimi është marrë për shkak të fluksit të lartë të aplikimeve të regjistruara gjatë ditëve të fundit dhe afati, që përfundonte më 26 qershor, është shtyrë deri më 6 korrik”. “Këto ditë kemi pasur një rritje të ndjeshme të numrit të aplikimeve.
Për t’u dhënë mundësi sa më shumë fermerëve të bëhen pjesë e Skemës Kombëtare, kemi vendosur ta shtyjmë afatin edhe me 10 ditë”, u shpreh Salla. Ministri bëri të ditur se deri tani kanë aplikuar rreth 40 mijë fermerë, ndërsa interesi është shtrirë pothuajse në të gjitha 12 masat mbështetëse të skemës. “Blegtoria ka pasur një interes të shtuar për aplikime, duke përfituar nga rritja e vlerës për krerë.
Ditët e fundit numri i aplikimeve ka qenë maksimal. Me këtë shtyrje synojmë t’u japim mundësi edhe atyre fermerëve që nuk kanë arritur të aplikojnë brenda afatit fillestar”, deklaroi ministri. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi synon të mbështesë fermerët përmes 12 masave financiare, me fokus zhvillimin e prodhimit bujqësor e blegtoral, rritjen e konkurrueshmërisë së fermave dhe forcimin e sektorit agroushqimor në vend.