“Siguria në plazh është përgjegjësi e përbashkët”, reagon Ndreu pas mbytjes së dy të miturave në bregdetin e Tales
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në bregdetin e Tales në Lezhë, ku dy vajza të mitura, Jonida Dajlani dhe Adelajda Misha, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, janë mbytur në det.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, teksa ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, Ndreu ka ngritur shqetësimin ‘për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet publike të pamenaxhuara’, plazhe të cilat nuk administrohen as nga subjekte private, por as nga bashkia.
Më tej Ndreu ka theksuar se siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.
Reagimi i Ndreut:
Shpreh dhimbjen time të thellë për humbjen tragjike të jetës së dy vajzave të mitura në plazhin e Tales. Kjo është një ngjarje e rëndë, përballë së cilës fjalët janë të pamjaftueshme. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të tyre.
Si drejtues i pushtetit lokal, shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia. Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment.
Plazhet e menaxhuara janë të pajisura me sinjalistikën përkatëse, zona të identifikuara qartë për pushuesit dhe infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e tyre.
Siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.