“Skënderbeu drejt kthimit në nivelet e larta”, Ahmataj flet për ringjalljen e korçarëve si pretendentë: Nuk isha 100% i kënaqur me merkaton, me Tiranën na mungon një ditë
Skënderbeu është ngjitur në vendin e tretë në klasifikimin e Abissnet Superiore dhe padyshim një meritë të madhe ka trajneri Julian Ahmataj, i cili rindërtoi ekipin në verë dhe po e kthen atë përsëri konkurrues.
Vetë tekniku, në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ia jep meritat lojtarëve që janë përshtatur shpejt me idetë e tij dhe ka bindjen se falë tyre, skuadra do të kthehet përsëri konkurruese në nivelet e larta. Në bashkëbisedimin e tij me moderatoren Trevisa Tufa, Ahmataj tregoi edhe pritshmërinë që ka për ekipin si dhe rivalitetin e Superiores.
Juli, 2 fitore radhazi, 6 ndeshje pa pësuar humbje. Është ky maksimumi i Skënderbeut?
Jo, nuk është maksimumi i Skënderbeut. Po bën një cikël për të ngritur ekipin në nivele të larta. Kemi patur një rrugëtim të mirë, por jo që ka ngecur loja. Nuk kemi arritur asgjë, në futboll duhet shikuar përpara.
Në dy sfidat e fundit, i keni marrë 6 pikë 2 rivalëve kryesorë për titull, Dinamos dhe Egnatias. Pyetja që shtron sot çdo tifoz në Korçë: A mund të rivalizojë Skënderbeu me ekipet “big”?
Faktikisht, edhe në ndeshjet e para që i humbëm, luajtëm mirë. Janë lojtarët që janë të aftë të ndërtojnë një Skënderbe konkurrues.
Përtej surprizave, futbolli është edhe matematike, ka limite. Cili është limiti i Skënderbeut, cili është objektivi real këtë sezon?
Objektivi real është ndeshja e radhës dhe mund të them që duhet të përgatisim secilën ndeshje me radhë. Synimi janë 3 pikët e radhës, duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të arritur synimet.
Nga vendi i tretë që jeni ju, deri në vendin e 7-të Vllaznia, diferenca mes 5 ekipeve është vetëm 2 pikë. Si e shihni konkurrencën këtë sezon?
Superiorja është kampionat i fortë, diferencat nuk kanë qënë të mëdha. Në këtë kampionat, duhet të jesh vigjilent. Nëse ul marshin, gjërat bëhen të vështira.
A ka impakt ndryshimi i skemës në këtë garë këtë sezon. Për ty personalisht dhe për Skënderbeun, çfarë impakti ka skema e re?
Nuk e kemi vlerësuar kaq shumë ndryshimin e skemës. Kampionati, ka po ata rivalë, në çfarëdo skeme të kesh. Nuk ka impakt të madh. Ata që e kanë menduar, e kanë menduar më së miri nga të gjithë.
Një detaj jo pozitiv, të paktën ky është perceptimi ynë. Nuk shohim shumë tifozë në stadium. Ju shqetëson si staf, e shqetëson ky detaj klubin. Keni një thirrje për tifozët?
Tifozët nuk gjykohen dhe nuk mund t’i fajësosh. Përformancat e ekipeve i sjellin në stadium. Në mungesë të titullit, ka një rënie të tifozëve. Kjo ka bërë që pritshmëritë të rriten në maksimum.
Juli, ne si staf i sportit në “News24”, gjatë Botërorit, na bëri përshtypje një detaj. Ishit non-stop në komunikim me drejtuesit e Skënderbeut për të ndërtuar ekipin. A jeni i kënaqur nga merkato. T’u plotësuan dëshirat?
Në asnjë moment nuk mund të them se isha 100% i kënaqur. Ka gjithmonë firo, jemi në masën 90% të plotësuar. Duhet të përmirësohemi dhe të jemi të kujdesshëm.
Merkato e dimrit nuk është larg. Ku do të ndërhyjë Skënderbeu? Për çfarë keni më shumë nevojë?
Kemi lojtarë në skuadër që presin momentin e tyre për t’u aktivizuar. Kampionati është i gjatë dhe do ketë edhe ndryshime, mungesa, patjetër. Kemi goxha kampionat përpara dhe patjetër që të gjithë do kenë mundësinë për t’u shprehur.
Lajmi i fundit ka të bëjë me ndryshimin e axhendës të sfidës Tirana-Skënderbeu. Afrohet me një ditë për shkak të protestave, do të luhet me 27 nëntor. E para, a ju prish punë? Dhe e dyta, çfarë pret nga kjo sfidë?
Nuk mendoj. Edhe në javën e kaluar, spostuam ndeshjen tonë një ditë përpara, edhe pse kishim luajtur në Kupë 120 minuta. Ishim Fair Play. Nuk besoj se na penalizon. Na mungon një ditë për përgatitjen e ndeshjes.