Skulptori 90-vjeçar Muntaz Dhrami i ftuar në festimet zyrtare të Ditës së Flamurit në Vlorë
Një prani e veçantë në ceremoninë zyrtare të 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë ishte ajo e “Skulptorit të Popullit” Muntaz Dhrami, i vetmi autor ende në jetë i Monumentit të Pavarësisë.
Me ftesë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, artisti 90-vjeçar mori pjesë sot në ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit. Sipas tij, kjo është pjesëmarrja e parë në një ceremoni të tillë që prej inaugurimit të monumentit në vitin 1972.
Një rikthim emocionues dhe me domethënie të veçantë, pas 54 vitesh, pranë veprës monumentale që Muntaz Dhrami krijoi së bashku me dy kolegët e tij, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri.
“Brezat që gëzojnë lirinë u kanë borxh kujtesën heronjve të pushkës e të penës, si e vetmja mënyrë që puna, mundi apo gjaku të shpërblehen nga pak çdo ditë, duke jetuar përtej kohëve, përtej jetëve”, shkroi ministrja, duke vlerësuar kontributin e Dhramit.
Monumenti i Pavarësisë, i lartë 17 metra dhe i veshur me bronz, u përurua në vitin 1972, me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Në qendër të grupit skulpturor qëndron figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar, ndërsa figurat e patriotëve, rilindësve dhe luftëtarëve simbolizojnë përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
I lindur më 10 nëntor 1936 në Gjirokastër, Muntaz Dhrami është një prej emrave më të rëndësishëm të skulpturës shqiptare, bashkautor edhe i monumentit “Nënë Shqipëri” në Tiranë.