Stërvitje luftarake në zonën e Kepit të Gjuhëzës, ndalohet lundrimi më 23 dhe 24 qershor
Bashkia e Vlorës ka njoftuar se më datat 23–24 qershor 2026 do të ndalohet lundrimi në zonën e Kepit të Gjuhëzës, për shkak të zhvillimit të një stërvitjeje dhe qitjeje luftarake bregdetare nga Forcat e Armatosura.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, Reparti Ushtarak Nr. 2030 – Distrikti Detar Jugor, gjatë këtyre dy ditëve do të kryhen ushtrime me armatimin e anijeve në zonën Bristan – Kepi i Gjuhëzës.
Për garantimin e sigurisë së jetës dhe shmangien e çdo incidenti, autoritetet theksojnë se gjatë periudhës së stërvitjes ndalohet rreptësisht lundrimi i çdo mjeti detar, përfshirë anijet e peshkimit, mjetet turistike, skafet dhe çdo mjet tjetër lundrues brenda perimetrit të përcaktuar.
Gjithashtu ndalohet qëndrimi dhe qarkullimi i personave të paautorizuar në zonat bregdetare të përfshira në aktivitet, si dhe ushtrimi i aktiviteteve të peshkimit dhe turizmit detar gjatë kohës së qitjeve.
Zona e sigurisë është përcaktuar me koordinatat:
40°25’00” V – 19°18’00” L
40°25’00” V – 19°12’00” L
40°20’00” V – 19°15’00” L
40°20’00” V – 19°22’00” L
Bashkia e Vlorës u bën thirrje peshkatarëve, operatorëve turistikë, banorëve dhe të gjithë subjekteve që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë të tregojnë mirëkuptim dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve, duke shmangur çdo lëvizje brenda perimetrit të sigurisë gjatë datave 23–24 qershor 2026.