Stil i pagabueshëm: Papa Leone përfshihet në listën e personave të veshur më bukur “Vanity Fair”
– Papa Leone XIV është përfshirë në listën e 70 personave të veshur më bukur në botë për vitin 2026, të publikuar nga revista prestigjioze amerikane “Vanity Fair”.
Lista, e cila rikthehet pas një ndërprerjeje dhjetëvjeçare, përfshin emra të njohur nga bota e artit, muzikës dhe modës.
Mes tyre është edhe papa Leone XIV, zgjedhja e të cilit ka tërhequr vëmendjen për stilin e tij të veçantë, që ndërthur veshjet tradicionale të papatit me elemente të thjeshta dhe të pazakonta.
Revista e përshkruan stilin e tij si një mënyrë për ta çuar veshjen papale në “lartësi qiellore”.
Vëmendje të veçantë kanë marrë atletet “Nike” që papa Leone XIV, ka veshur poshtë rrobës së bardhë papale.
Korrespondenti i modës i “Vanity Fair”, José Criales-Unzueta, tha se ekipi i revistës ishte veçanërisht i tërhequr nga “amerikanizmi i natyrshëm” i papës, i cili ka lindur në Çikago.
Përveç atleteve sportive, stili i tij përfshin edhe aksesorë të veçantë.
Në vend të këpucëve tradicionale të kuqe të papëve, ai preferon këpucë të zeza klasike të tipit “Oxfor.
Ai është parë gjithashtu me një orë zvicerane kuarci, një model që nuk prodhohet më, si dhe me një çantë pune të përdorur prej kohësh.
Një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen ishte qershori i vitit 2025, kur papa u shfaq në Sheshin e Shën Pjetrit me një kapele bejsbolli të ekipit amerikan “Chicago White Sox”, të vendosur mbi kësulën e bardhë papale.
Atletet “Nike” u bënë gjithashtu objekt diskutimi në rrjetet sociale, pasi u shfaqën në pamjet e dokumentarit të Vatikanit “Leone a Roma”, publikuar në maj të vitit 2026.
Disa përdorues fillimisht dyshuan se fotografitë ishin të manipuluara, për shkak të kontrastit mes veshjes tradicionale papale dhe atleteve sportive.
Bëhet fjalë për një model retro të “Nike”, i cili u prezantua fillimisht në vitet 1970 dhe u rikthye për një periudhë të shkurtër në treg në vitin 2008.
Megjithatë, stili i papës nuk kufizohet vetëm te veshjet sportive. Për veshjet e tij zyrtare dhe liturgjike kujdeset stilisti italian, Filippo Sorcinelli, i cili ka punuar më parë edhe për papët Benedikti XVI dhe Françesku.
“Vanity Fair” e ka përfshirë papën në kategorinë “Originals”, ku renditen personalitete që dallohen për stilin e tyre individual.
Në të njëjtën kategori janë edhe artistë të njohur si Spike Lee, Björk dhe Rosalía.
Nuk është hera e parë që papa Leone XIV përfshihet në renditje të tilla.
Ai është përmendur edhe në listën e revistës “Vogue” për vitin 2025, si dhe në përzgjedhjen e gazetës “The New York Times” me 67 personat më elegantë të vitit të kaluar.
Përfshirja e tij në listën e “Vanity Fair” tregon se stili i papës ka tërhequr vëmendjen përtej mjediseve fetare, duke u bërë pjesë e diskutimeve ndërkombëtare mbi modën dhe identitetin personal. /