E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Stuhitë godasin Ballkanin, miliona euro dëme në bujqësi, mbi 100 automjete të dëmtuara në Shkup

Stuhitë godasin Ballkanin, miliona euro dëme në bujqësi, mbi 100 automjete të dëmtuara në Shkup

Stuhitë e forta që përfshinë Ballkanin gjatë natës shkaktuan dëme të shumta në disa vende të rajonit, duke prekur bujqësinë, infrastrukturën dhe dhjetëra automjete.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, rajoni i Hercegovinës u godit më rëndë, veçanërisht zona e Nevesinjës. Kryetari i bashkisë, Milenko Avdaloviç, deklaroi se dëmet në sektorin e bujqësisë arrijnë në miliona marka boshnjake.

Sipas tij, stuhia shkatërroi pothuajse tërësisht kulturat e patateve, qepëve, lakrave dhe pemishtet, ndërsa dëme u raportuan edhe në vreshtat e zonave Grude dhe Ljubushki.

Në Maqedoninë e Veriut, erërat arritën shpejtësi deri në 134 km/h në Shtip dhe 130 km/h në Shkup. Numri i emergjencës 112 mori mbi 9 mijë telefonata, ndërsa autoritetet raportuan 10 persona të lënduar.

Në kryeqytet u dëmtuan mbi 100 automjete, u rrëzuan 189 pemë dhe u dëmtuan disa ndërtesa publike, përfshirë Presidencën, disa ministri dhe aeroportin.

Edhe Kroacia u përball me mot të ashpër, veçanërisht përgjatë bregdetit të Adriatikut. Në ishullin Hvar, niveli i detit u rrit me rreth 1.5 metra, duke përmbytur shëtitoren dhe disa rrugë në Stari Grad. Rritje të nivelit të detit u regjistruan edhe në ishujt Vis dhe Korçula, por pa shkaktuar dëme të mëdha.

Shkencëtarët paralajmërojnë se, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale të shkaktuar nga emetimet e lëndëve djegëse fosile, fenomenet ekstreme të motit pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive në vitet e ardhshme.

Lini një koment