Sulm amerikan në Paqësorin lindor: një i vdekur, dy të shpëtuar
Një sulm i forcave amerikane ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor shkaktoi vdekjen e një personi dhe la të shpëtuar dy të tjerë, njoftoi Komanda Jugore e SHBA (SOUTHCOM).
Siç raporton CBS News, SOUTHCOM deklaroi se anija ishte “e operuar nga një Organizatë e Deklaruar Terroriste”, po lëvizte përgjatë rrugëve të njohura të narkotrafikut dhe ishte e përfshirë në operacione trafiku droge. Postimi i Komandës përfshinte një video që tregon goditjen ndaj anijes, e cila duket të jetë thyher në dy pjesë dhe po digjej; më pas u njoftua menjëherë Rojet Bregdetare të SHBA-së për aktivizimin e sistemit të Kërkim-Shpëtimit. Komanda gjithashtu ka thënë se, “Për arsye të sigurisë operacionale, nuk mund të diskutojmë burime ose metoda specifike.”
Kjo goditje është pjesë e një fushate që nisi në fillim të shtatorit dhe përfshin sulme të ngjashme në ujërat e Paqësorit lindor dhe të Karaibeve. Sipas raportimeve të mëparshme, të paktën 193 persona janë vrarë gjatë kësaj fushate, ndërkohë që ushtria nuk ka paraqitur prova publike se anijet që goditen po transportonin drogë. Një incident i veçantë që nxiti shqetësim të gjerë ishte një sulm i datës 2 shtator, kur një goditje e dytë ndaj të mbijetuarve të një sulmi fillestar rezultoi në vdekjen e dy personave; ligjvënës dhe analistë kanë ngritur pyetje për ligjshmërinë dhe ndjekjen e procedurave.
Sipas CBS News, përpjekjet e administratës amerikane, përfshirë deklarimet e presidentit për një “konflikt të armatosur” me kartelet dhe strategjinë e re kundërterroriste që i jep prioritet eleminimit të këtyre grupeve, kanë shkaktuar debate të forta mbi legjitimitetin dhe rreziqet e shkaktuara nga përdorimi i forcës në rajon.