Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›​Sulmi në Ibër-Lepenc, në Gjykatë flet dëshmitarja që dëgjoi shpërthimin e fuqishëm

​Sulmi në Ibër-Lepenc, në Gjykatë flet dëshmitarja që dëgjoi shpërthimin e fuqishëm

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dëshmuar, të martën, dëshmitarja nga pala e dëmtuar, Milena Pashpereviq, për dëmet e shkaktuara në shtëpinë e saj nga sulmi ndaj kanalit të Iber Lepencit, më 29 nëntor 2024 në Varagë të Zubin Potok.

Ajo tha se atë natë, në momentin e shpërthimit, i është dridhur shtëpia, themeli i shtëpisë ka lëvizur e madje ka pasur edhe dëme të tjera materiale.

“Kam qenë e shtrirë në shtëpinë time, nuk ka qenë askush në shtëpi. Nuk mund ta saktësoj kohën, por me kujtohet detonim shumë i madh, mendoj që ka qenë errësirë. Kur kam dal dhe kam pa që një sasi e madhe e ujit vinte drejt shtëpisë sime, veturat janë ardhur shkak i ujit. Shtëpia ime ndodhet përfundi rrugës magjistrale, ndërsa ngjarja ka ndodhur mbi rrugën magjistrale. Detonimi ka qenë i madh, është shkundur shtëpia, themeli ka lëvizur si dhe qynga e shporetit ka dal nga vendi dhe në ato momente kam menduar mos është ndonjë tërmet. Kam dal në dritare të shoh se çka ka ndodhur, pasi qe kam dëgjuar eksplozivin, kam parë ujin shumë sasi të madhe, sepse ajo ndodhet ne afërsi të shtëpisë sime, kam thirr nenën në telefon kam kërkuar ndihmë që të vij dhe të shoh se çka po ndodh”, tha ajo.

E pyetur nga prokurori special, Bekim Kodraliu se a ka qenë e frikësuar, e njëjta tregoi frikën që ka pasur.

“Po shumë, sepse kam qenë vetëm në shtëpi”, tha ajo.

Dëshmitarja tha se ka pasur dëme edhe në stallë, por edhe në tokë bujqësore.

“Ekzistojnë edhe fotografitë. Nuk mund ta di saktë sa ka qenë dëmtimi, mirëpo ne kemi pasur edhe stalla të cilët janë dëmtuar, jemi marrë edhe me bujqësi është dëmtuar edhe toka bujqësore. Ne në ato momente kemi kërkuar ndihmë, vetëm kryetari i komunës na ka ndihmuar me shumë të hollash prej 1 mijë e 300 euro. Nuk është që na është kompensuar dëmi, por në ato momente na ka ndihmuar”, tha ajo.

E pyetur se a kërkon t’i kompensohet dëmi nga personat që dyshohet se kanë kryer veprën penale, ajo tha “jo”.

Pas përfundimit të dëshmisë se saj, Millosh Deloviq, avokati i të pandehurit Dragisha Viçentijeviq tha se duhet të dëgjohet eksperti i FBI-së.

“Mbesim që të dëgjohet eksperti i FBI-së”, kërkoi ai.

Prokurori Bekim Kodraliu kundërshtoi propozimin e tij.

“Ne si prokurori i kundërshtojmë propozimet e palës mbrojtëse për arsye se në këtë hetim penal kanë qenë të angazhuar edhe partneret ndërkombëtarë, kështu që gjatë fazës se hetimeve kemi ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë te kësaj çështje penale. Kemi intervistuar edhe dëshmitarë të tjerë edhe të dyshuar të tjerë dje nga të gjitha provat që kemi siguruar, kemi vërtetuar përtej dyshimit të bazuar që këta dy të pandehur janë kryerësit e kësaj vepre penale. Çdo dëshmitar tjetër nga pala mbrojtëse do të prolongon procedurën penale”, tha ai.

Avokati insistoi që të dëshmojë eksperti i FBI-së, pasi, sipas tij, i njëjti kishte deklaruar se pati përputhje të gjurmëve të çizmeve të të pandehurit të tij me baltën te vendi i shpërthimit.

“Ai ekspert supozohet që ka vërtetuar se toka përtej kanalit nga çizmet e gjetura ne shtëpi po përputhen. Që është e rëndësisë se lartë që ky ekspert të dëgjohet sepse ne si mbrojtje kemi shumë pyetje në lidhje me këtë raport”, kërkoi ai.

Ndërsa avokati tjetër Nebojsha Vlajiq, që përfaqëson të pandehurin Jovan Viçentijeviq propozoi dëshmitarët e tij.

“Kur në Tribunalin e Hagës mbrojtja propozon dëshmitarë, gjyqtari parashtron vetëm dy pyetje sa dëshmitarë keni dhe sa kohë ju duhet, nuk ka çka të aprovojë këtu prokurori publik. Është e vërtetë që qysh në fazën e hetimeve i kam propozuar dëshmitarët, por edhe më pas në fazën e shqyrtimit me datën 16 mars i kam dorëzuar gjykatës parashtresën ku i kam propozuar të gjithë dëshmitarët, kam ofruar edhe adresat dhe kam propozuar edhe prova të tjera. Dëshmitarët janë Tijana dhe Dejan Viçentijeviq, nipi e mbesa të Jovanit dhe Jovani ka qenë tek ata në shtëpi, në kohën kritike. Dëshmitari i tretë Trifun Bojoviq, ai menjëherë aty në atë lagje pranë shtëpisë ka marketin, dhe i pandehuri në atë kohë ka shkuar tek ai”, tha ai.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili ka aprovuar propozimet e mbrojtësve për dëshmitarë.

“Lidhur me propozimin trupi gjykues unanimisht merr vendim, aprovohen propozimet e mbrojtësve për dëshmitarë”, tha ai.

Seanca e radhës ndaj tre të akuzuarve për sulmin në Ibër Lepenc do mbahet me 19 tetor në ora 13:15.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viçentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë./kp/

Lini një koment