Sulo: Pas kësaj është mazhoranca… përkon me ndryshimin e politikës penale
Analisti Arion Sulo ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se ndryshimet e fundit ligjore në fushën penale dhe masat e sigurisë duken të lidhura ngushtë me një përpjekje të mazhorancës për të dobësuar rolin e SPAK-ut dhe për të krijuar një klimë presioni ndaj tij.
Duke folur për vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë lidhur me masat e sigurimit, Sulo shprehu dyshime se ai do të sjellë përfitim real për një pjesë të madhe të qytetarëve të zakonshëm që kanë pësuar nga disproporcionaliteti i masave të sigurisë, duke e quajtur këtë mundësi “një ishull sporadik dhe izoluar”.
“Pra kjo do të ndodhë sepse ajo dhe ata nuk e bëjnë me ligj dhe këtu ka një pikëpyetje. Pse mazhoranca nuk e bën me ligj? Se pas kësaj është e gjitha mazhoranca”, tha ai.
Sulo theksoi se koha e këtij ndryshimi nuk është e rastësishme, por lidhet drejtpërdrejt me tensionet midis mazhorancës dhe SPAK-ut: “Përkimi i kohës që vjen ky ndryshim është me rrëzimin e SPAK-ut në Parlament për çështjen Balluku. Është me kodin penal, me politikën penale shqiptare të shpallur nga Edi Rama, nga Kryeministri, me ekspertë italianë dhe ekspertë francezë dhe të shpallur hapur që ne do të ndryshojmë politikën penale me retorikën e tij prej gjashtë muajsh, prej arrestimit, prej kërkesës së SPAK-ut për arrestin e Ballukut kundër SPAK-ut për paraburgimet… Pra kemi një sërë ndryshimesh të kundër procedurës 242-in që rri i fjetur atje.”
Analisti vuri në dukje se mazhoranca ka pasur mundësi të bëjë ndryshime më të thella dhe automatike për pezullimin e zyrtarëve të lartë, por zgjodhi një rrugë tjetër: “Ne menduam se do shkonte ndonjë ndryshim që kush merret me SPAK të pezullohet automatikisht. E kundërta do të vijë në fakt, është në invers.”
Sipas Sulos, këto iniciativa ligjore, duke përfshirë edhe atë për vendimin unifikues, krijojnë një “klimë gardhi” dhe presioni ndaj SPAK-ut, duke shërbyer si një lloj mbrojtjeje intimiduese për politikanët, pavarësisht se paraqiten si masa në mbrojtje të qytetarëve të thjeshtë.