Sveçla me mesazh për policët e rinj: Uniforma nuk është simbol i pushtetit, por i përgjegjësisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, ka thënë se ky profesion kërkon përkushtim, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe në rrethana sfiduese.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një vendi më të sigurt, ku ligji vlen për të gjithë, duke rikujtuar se uniforma është simbol i përgjegjësisë ndaj qytetarëve.
Në fjalimin e tij, Sveçla ka thënë se siguria dhe rendi janë ndër simbolet e qetësisë dhe besimit të qytetarëve, si dhe të përpjekjeve për ndërtimin e një vendi ku ligji vlen për të gjithë.
“Siguria dhe rendi. Ajo është një nga simbolet e qetësisë sonë, e besimit të qytetarëve dhe përpjekjes sonë për të ndërtuar një vend ku ligji vlen për të gjithë dhe ku secili qytetar ndihet i sigurt dhe i mbrojtur”, ka thënë Sveçla.
Ai ka theksuar se për ndërtimin e një vendi më të drejtë dhe më të sigurt duhet të punohet vazhdimisht, në mënyrë që liria, barazia dhe drejtësia të mos mbeten vetëm parime, por të jenë pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve.
Ministri ka vlerësuar rolin e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si të pazëvendësueshëm në këtë rrugëtim.
Sveçla ka thënë se diplomimi i gjeneratës së 63-të është një moment i rëndësishëm jo vetëm për kadetët që kanë përfunduar përgatitjen e tyre, por edhe për Policinë e Kosovës dhe vendin, të cilit i bashkohet një gjeneratë e re e gatshme për të marrë përgjegjësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Duke iu drejtuar kadetëve të diplomuar, ai ka theksuar se me përfundimin e kësaj faze të përgatitjes, ata po nisin një rrugëtim të ri në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ministri u ka kujtuar se profesioni i policit kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe në rrethanat më sfiduese.
“Dua t’ju rikujtoj se uniforma që do të mbartni nuk është simbol i pushtetit mbi qytetarët, por i përgjegjësisë ndaj tyre”, ka thënë Sveçla.