Tabaku në takim me OKB-në: Mbi 1000 persona janë shoqëruar në polici, mes tyre 250 të mitur
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të OKB-së në Shqipëri, në kuadër të nismës “Partneriteti për Qeverisjen e Hapur”, siç njofton Shqiptarja.com. Në qendër të takimit ishin të drejtat e njeriut dhe shkeljet e konstatuara gjatë protestave studentore.
Gjatë takimit, Tabaku solli në vëmendje problematikat e konstatuara gjatë vizitave në komisariatet e policisë dhe në Bllokun e Sigurisë, ku ajo dhe kolegë të tjerë të PD-së kanë takuar protestues të arrestuar gjatë protestave studentore.
Sipas Tabakut, nga takimet me të ndaluarit në komisariate dhe në Bllokun e Sigurisë, në kryeqytet dhe në Durrës, mbi 1000 persona janë shoqëruar, prej tyre 250 të mitur, ndërsa janë regjistruar raste të përdorimit të tepruar të forcës, dhunës dhe trajtimit të padenjë të të ndaluarve.
Tabaku theksoi se shkeljet e të drejtave të njeriut të konstatuara në lidhje me procesin e rregullt ligjor kërkojnë monitorim të vazhdueshëm dhe masa urgjente.