Tabaku: Presioni ndaj medias përmendet edhe në progres-raport, qëndrueshmëria e protestës është lajm i mirë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në studion e News24, foli për protestën e studentëve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, siç njofton BalkanWeb. Ajo tha se kryeministri Rama është e keqja më e madhe e vendit dhe se të gjithë duhet të jenë të bashkuar, sepse në këtë mënyrë mund të bëhet largimi i kryeministrit.
Tabaku vlerësoi dhe falënderoi televizionin News24 për transmetimin e pandalur dhe hap pas hapi të protestës, pavarësisht presioneve. Ajo tha se rasti i News24 përmendet edhe në progres-raport për presionin ndaj medias, ndërsa gjobat për televizionin kanë qenë të vazhdueshme. Sipas saj, edhe pse News24 u largua vitin e shkuar nga ndërtesa ku zhvillonte aktivitetin prej vitesh, transmetimi i asaj që ka ndodhur në rrugë, prej 161 ditësh tashmë, është një sfidë e jashtëzakonshme, sidomos kur gjobat apo presioni rriten.
Më tej, ajo nënvizoi se protesta ngriti një shoqëri në këmbë dhe se sheshi e ka dhënë qartë mesazhin për largimin e Ramës. “Protesta i ngriti në këmbë sepse i bëri të gjithë të kuptojnë dhe po ndjejnë pasojat e gabimeve. Qëndrueshmëria e protestës është një lajm i mirë. Studentët janë atje, të mos harrojmë edhe presionin e jashtëzakonshëm, gjobat, dhuna”, u shpreh ajo.