Wednesday, 24 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaTakimi Peleshi–Plakiotakis në Athinë: Forcim i bashkëpunimit parlamentar mes Shqipërisë dhe Greqisë

Takimi Peleshi–Plakiotakis në Athinë: Forcim i bashkëpunimit parlamentar mes Shqipërisë dhe Greqisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, gjatë vizitës së tij në Greqi ka zhvilluar një takim në Athinë me kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe nënkryetarin e parë të Parlamentit grek, Ioannis Plakiotakis.

Në njoftimin e bërë publik, theksohet se bisedimet u përqendruan tek forcimi i bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve dhe mbështetja e Greqisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Peleshi vlerësoi marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke nënvizuar rolin e diplomacisë parlamentare në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e agjendës evropiane të rajonit.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar këtë si një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët.

“Integrimi i Shqipërisë dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mbetet një faktor kyç për më shumë zhvillim ekonomik dhe stabilitet, në dobi të qytetarëve tanë dhe të vetë projektit evropian,” u shpreh Peleshi në mesazhin e tij.

Takimi riafirmoi angazhimin për vijimin e dialogut dhe bashkëpunimit parlamentar në mbështetje të objektivave të përbashkëta evropiane, duke e vendosur integrimin e Shqipërisë në BE si një prioritet strategjik të përbashkët.

Lini një koment