“Tani është koha të flasim ne!”, Rama kërkon mobilizim nga të gjithë socialistët: Shumica e PS-së u mor për
Kryeministri Edi Rama është shprehur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, se të gjitha strukturat e kësaj force politike duhet të mobilizohen për të mos lejuar që rruga e Shqipërisë drejt BE-së, të mos ndalet nga asgjë.
Duke folur për kritikat për shumicën parlamentare në Kuvend, Edi Rama theksoi se nuk e donte pushtetin e shumicës që të bëhej si Erdogan apo Putin, por që Shqipëria të jetë ylli i ri i Europës.
“Thonin për çfarë i duhej këtij kjo shumicë kaq e theksuar, do të bëhet ky si Erdogani dhe Putini? Imagjinoni nëse populli shqiptar do të ishte i mangët si këta, ne sot do të ishim të ngecur, sepse nuk do të kalonim ligjet që kemi kaluar në funksion të anëtarësimit. Prandaj e kemi marrë atë shumicë, për Shqipërinë e BE.
Këtë duhet ta ndiejë secili për të qenë aktiv, të gjitha qelizat e PS duhet të mobilizohen, i gjithë gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë. Ne na ka rënë barra, por na është shkruar edhe fati për të qene në këtë moment të historisë, që Shqipëria të jetë ylli i ri i Europës dhe kjo e fundit do të flasë edhe shqipen, siç flet edhe të tjerat atje”, u shpreh ai.
Nga Gjiri i Lalëzit ku po mbahen punimet e Asamblesë Kombëtare të PS, Edi Rama theksoi se tani është momenti për të punuar pa u lodhur dhe për të mbështetur njerëzit dhe komunitetet. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të ndalet asnjë minutë dhe Prania Besnike është një nga shtigjet e duhura për të ndjerë nga afër pulsin dhe ndjesinë e çdo komuniteti.
“Sepse burimet në Tiranë janë kundër nesh për 1001 arsye, por ne kemi atë burim atje, që duhet të shtrihet në çdo territor. Ka ardhur radha jonë për të folur, i kanë thënë të tëra, i shkulën të gjithë gurët e bulevardit dhe i hodhën të gjithë molotovët që nuk kishin hedhur ne 35 vite. Tani është koha të flasim ne, të flasim me çdo shqiptar në çdo fshat e qytet me shqiptar që nuk e ka frikë dialogun dhe që nuk harron se baza e së vërtetës nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe detyra për të dëgjuar”, shtoi Edi Rama.