Të ardhurat publike rriten me 31% në 3 vjet, Malaj: Objektivi, +1.2 miliardë euro deri në fund të vitit
Të ardhurat publike në Shqipëri kanë shënuar një rritje prej 31% gjatë tre viteve të fundit. Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili deklaroi se ky realizim buxhetor është produkt i një kombinimi mes rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe ecurisë së procesit të formalizimit në vend.
Sipas të dhënave të bëra publike nga kreu i Financave, vetëm gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti, arka e shtetit ka arkëtuar rreth 515 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Objektivi i vitit, +1.2 miliardë euro më shumë se në 2024
Ministria e Financave synon që deri në mbyllje të vitit kalendarik, bilanci i të ardhurave publike të arrijë një rritje prej 1.2 miliardë eurosh krahasuar me vitin 2024. Sipas Malajt, konsolidimi i fuqisë financiare të shtetit do të përkthehet drejtpërdrejt në rritjen e investimeve publike dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Synimi ynë është që deri në përfundim të vitit t’i kemi rritur të ardhurat publike me 1,2 miliardë euro më shumë krahasuar me vitin 2024. Këto janë para që do të shkojnë për të ndërtuar më shumë shkolla, më shumë qendra shëndetësore e spitale, më shumë subvencione në biznes, apo për të ofruar shërbime të reja, si dhe për të përmirësuar shërbimet ekzistuese,” u shpreh ministri Malaj.
Orientimi i buxhetit drejt mirëqenies
Në një reagim shoqërues në rrjetet sociale, ministri i Financave nënvizoi se çdo arktim shtesë në buxhetin e shtetit ka vlerë vetëm nëse ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë te familjet, biznesi dhe komunitetet lokale.
“Ekonomia po rritet dhe kjo po reflektohet edhe në fuqinë financiare të shtetit. Objektivi është i qartë: të krijojmë më shumë hapësirë për investime, zhvillim dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Çdo lek shtesë në buxhet duhet të kthehet në më shumë mundësi për familjet, bizneset dhe komunitetet në të gjithë Shqipërinë. Rritja ekonomike ka vlerë kur përkthehet në më shumë mirëqenie për njerëzit,” përfundoi Malaj.