Të shtëna me armë pas një feste në një shtëpi me qira në Birmingham, policia ndalon disa persona
Një festë e zhvilluar gjatë natës në një shtëpi me qira afatshkurtër në Birmingham të Michiganit përfundoi me të shtëna armësh dhe ndërhyrje të menjëhershme të policisë, ndërsa disa persona janë ndaluar për t’u marrë në pyetje.
Sipas policisë, rreth orës 6:00 të mëngjesit të së shtunës janë marrë disa telefonata nga banorët për të shtëna me armë në një banesë në bllokun 1400 të East Lincoln Street.
Banorët e zonës thanë se u zgjuan nga zhurma e fortë e të shtënave. “U zgjova nga një seri krismash, ndoshta rreth 20. Tingëllonin si armë automatike dhe gjysmë-automatike,” tha Carl Banerian, i cili jeton përballë shtëpisë ku ndodhi incidenti. Ai shtoi se pa njerëz duke vrapuar jashtë, ndërsa fqinjët filluan të dilnin nga shtëpitë sapo mbërriti policia.
Pamje të kapura nga kamerat e sigurisë (Ring) tregojnë momentet pas ngjarjes, përfshirë reagimin e forcave të rendit dhe lëvizjet e personave që largoheshin me nxitim nga vendi i ngjarjes.
Pronarët e banesës konfirmuan se ajo përdorej si shtëpi me qira afatshkurtër që prej vjeshtës së vitit 2025 dhe ishte marrë me qira për dy ditët e fundit. Fqinjët thanë se më parë janë zhvilluar festa të tjera në këtë pronë, por pa incidente të këtij niveli.
Sipas policisë, festa ishte promovuar në rrjetet sociale dhe gjatë saj ka shpërthyer një konflikt, i cili më pas ka degjeneruar në të shtëna me armë. Kamerat e banorëve kanë kapur persona që largoheshin me vrap në drejtime të ndryshme nga oborri i shtëpisë.
Autoritetet bëjnë të ditur se kanë përdorur pamjet filmike për të ndaluar një person të armatosur me pistoletë, si dhe disa të tjerë për t’u marrë në pyetje. Deri më tani nuk raportohen persona të plagosur nga të shtënat.
Pas incidentit, prona nuk rezulton më e listuar në platformën Airbnb, megjithëse vijon të shfaqet në platformën VRBO.
Policia e Birminghamit po vijon hetimet dhe u bën thirrje qytetarëve që kanë informacion të kontaktojnë autoritetet. Ngjarja ka rikthyer shqetësimet e komunitetit lidhur me përdorimin e shtëpive me qira për organizimin e festave të pakontrolluara dhe rrezikun që ato mund të paraqesin për sigurinë publike.