Të shtënat me armë zjarri në Veternik: tre të lënduar në magjistralen Prishtinë–Ferizaj
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, pranë një restoranti në Veternik, ku tre persona u lënduan.
Rastin e ka konfirmuar për KosovaPressin zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana. Sipas tij, dy persona dyshohet se janë plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa një i tretë nga një mjet i mprehtë.
Të tre të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor dhe gjendja e tyre po vlerësohet nga mjekët.
Njësitet policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po hetojnë rrethanat e këtij rasti për të zbardhur të plotë ngjarjen.
Burimi: KosovaPress