TEHERAN – Irani mohon sulmet ndaj Kuvajtit: Akuzat synojnë të përshkallëzojnë tensionet
TEHERAN, 26 nëntor /ATSH-ANSA/- Forcat e armatosura të Iranit, kanë hedhur poshtë kategorikisht, akuzat për përfshirje në sulmin me dronë ndaj një instalimi ushtarak në Kuvajt, ku humbën jetën dy shtetas italianë dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Teherani i ka cilësuar këto akuza, si një përpjekje për të përshkallëzuar më tej, paqëndrueshmërinë në rajon dhe ka drejtuar gishtin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.
Zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane, gjenerali, Abolfazl Shekarchi, deklaroi se Irani nuk ka ndërmarrë asnjë operacion ushtarak apo sulm në rajon.
“Ne i hedhim poshtë kategorikisht dhe absolutisht, akuzat për përgjegjësinë e Iranit në sulmin e fundit në Kuvajt. Asnjë operacion ushtarak apo ofensiv, nuk është kryer nga forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit në rajon”, deklaroi Shekarchi, sipas agjencisë iraniane të lajmeve “Fars”.
Ai pretendoi se akuzat duhet të shihen në kontekstin e asaj, që e cilësoi si historik të veprimeve armiqësore të SHBA-së dhe Izraelit në rajon.
“Duke pasur parasysh historikun e veprimeve armiqësore, si dhe rolin e regjimit sionist dhe forcave amerikane në përdorimin e taktikave ‘false flag’ dhe ndërmarrjen e aventurave në rajon, këto akuza duhen interpretuar si një pretekst për të fshehur keqdashjen e vazhdueshme dhe si një përpjekje për të përshkallëzuar paqëndrueshmërinë në këtë zonë”, shtoi zëdhënësi iranian.
Termi “false flag” i referohet operacioneve të organizuara në mënyrë të tillë, që përgjegjësia t’i atribuohet një pale tjetër.
Megjithatë, autoritetet iraniane nuk paraqitën prova për pretendimin se sulmi në Kuvajt, ishte organizuar nga SHBA-ja ose Izraeli.
Sulmi ndodhi gjatë ditës së sotme, kur disa dronë hynë në hapësirën ajrore të Kuvajtit dhe synuan një objekt me rëndësi strategjike, sipas autoriteteve të këtij vendi.
Ushtria kuvajtiane deklaroi se zbuloi dhe neutralizoi disa mjete ajrore pa pilot, ndërsa mbetjet e tyre shkaktuan shpërthim, dëme materiale dhe plagosjen e katër personave.
Ministria e Jashtme italiane konfirmoi se dy shtetasit italianë, që humbën jetën ishin teknikë civilë të kompanisë “Rheinmetall Italia”.
Ata po kryenin punime mirëmbajtjeje në antenat e zbulimit të sistemit të mbrojtjes kundërajrore “Skyguard”, që përdoret nga forcat e armatosura të Kuvajtit.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi në Senat se dronët me origjinë iraniane, kishin shënjestruar instalime ushtarake kuvajtiane, përfshirë stacionin e zbulimit të mbrojtjes ajrore ku punonin dy teknikët italianë.
Ai konfirmoi se pas një shpërthimi të fuqishëm, të dy shtetasit kishin humbur jetën.
Dy personat e tjerë të plagosur janë një ushtarak kuvajtian dhe një shtetas pakistanez.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa Ministria e Jashtme italiane bëri të ditur se ambasada në Kuvajt, po bashkëpunon me autoritetet vendase, për të ndjekur zhvillimet dhe për të informuar familjarët.
Sulmi përbën incidentin e dytë të raportuar këtë muaj me dronë iranianë kundër Kuvajtit, një vend aleat i SHBA-së në Gjirin Persik.
Në fillim të nëntorit, Irani deklaroi se kishte goditur objektiva amerikane me dronë dhe raketa në Kuvajt, pas një sulmi amerikan ndaj ishullit Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit.
Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Teheranit dhe Uashingtonit, me sulme dhe kundërpërgjigje në rajonin e Gjirit Persik, si dhe shqetësime për sigurinë e infrastrukturës ushtarake dhe rrugëve detare. /