E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Tensione para derbit, kërkohet menjëherë reagim në shansin e fundit! Gjoba dhe masa disiplinore

Tensione para derbit, kërkohet menjëherë reagim në shansin e fundit! Gjoba dhe masa disiplinore

Dinamo po kalon një nga periudhat më të vështira të sezonit. Rezultatet negative, mungesa e vazhdimësisë dhe paraqitjet larg pritshmërive kanë shtuar shqetësimin në kampin blu, ku tashmë kërkohet një reagim i menjëhershëm. Shtatë javët e fundit kanë nxjerrë në pah problemet e skuadrës, ndërsa humbja e fundit ndaj Elbasanit ka shtuar edhe më shumë presionin.

Në këto kushte, ndeshja e radhës me Partizanin merr një rëndësi të veçantë, pasi për Dinamon nuk bëhet fjalë vetëm për tri pikë, por edhe për të dhënë një përgjigje pas një serie zhgënjyese.

Të premten, Dinamo do të përballet me Partizanin në një sfidë që i gjen të dyja skuadrat në një moment të vështirë sa u përket rezultateve. Dy ekipet kryeqytetase po përjetojnë një krizë pikësh dhe kanë nevojë urgjente për një fitore që mund t’u japë një tjetër drejtim në kampionat. Për blutë, kjo përballje vjen në një moment delikat, ku çdo rezultat tjetër negativ do të shtonte edhe më shumë presionin. Megjithatë, Dinamo ka një arsye për të besuar te një rezultat pozitiv. Në ndeshjen e fazës së parë, skuadra dinamovite triumfoi me rezultatin 4-2 ndaj Partizanit, në një përballje me gjashtë gola. Tashmë, objektivi është të përsërisë atë rezultat dhe, mbi të gjitha, të tregojë se mund të dalë nga momenti i vështirë.

Shifrat e shtatë ndeshjeve të fundit flasin qartë për vështirësitë e Dinamos. Në këtë periudhë, blutë kanë regjistruar vetëm një fitore, dy barazime dhe katër humbje, duke grumbulluar gjithsej pesë pikë nga 21 të mundshme. Seria negative nisi me humbjen 0-1 ndaj Vllaznisë dhe vijoi me disfatën 0-2 përballë Teutës. Fitorja 2-1 ndaj Egnatias dukej se mund të shërbente si pikë kthese, por Dinamo nuk arriti të ndërtonte vazhdimësi. Më pas erdhën barazimet 1-1 me Tiranën dhe 2-2 me Vorën, përpara se skuadra të pësonte dy humbje radhazi, 0-2 ndaj Skënderbeut dhe 0-1 ndaj AF Elbasanit.

Një bilanc prej vetëm pesë golash të shënuar dhe dhjetë të pësuar në këto shtatë takime, që dëshmon vështirësitë e skuadrës në të dyja fazat e lojës. Për një ekip me objektiva të rëndësishëm në kampionat, kjo ecuri është larg pritshmërive dhe kërkon një ndryshim të menjëhershëm.

Humbja e fundit ndaj Elbasanit dhe mbi të gjitha, mënyra se si u paraqit skuadra në fushën e lojës, kanë sjellë reagimin e presidentit Ardian Bardhi. Ky i fundit ka shprehur pakënaqësinë ndaj skuadrës dhe stafit, duke kërkuar më shumë seriozitet, përgjegjësi dhe angazhim. Në klub nuk është vënë në diskutim vetëm rezultati i ndeshjes së fundit, por edhe niveli i paraqitjes së ekipit në një moment kur nevoja për pikë dhe rezultate është e madhe. Mesazhi i presidentit ka qenë i qartë, pasi skuadra duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe të tregojë një tjetër fytyrë në ndeshjet e ardhshme.

Nëse nuk do të ketë një reagim në fushën e lojës, situata mund të shoqërohet edhe me masa konkrete nga drejtuesit e klubit. Gjobat dhe dënimet janë ndër mundësitë që mund të vihen në zbatim, ndërsa nuk përjashtohen as masa më të ashpra ndaj lojtarëve apo pjesëtarëve të stafit. Gjithçka pritet të varet nga reagimi i skuadrës në ndeshjet e ardhshme, duke nisur nga përballja me Partizanin. Dinamo ka nevojë të rikthehet te rezultatet pozitive, por edhe të tregojë në fushë seriozitetin dhe karakterin që kërkohet prej saj. E premtja do të jetë një tjetër provë për blutë, në një moment kur hapësira për gabime po bëhet gjithnjë e më e vogël.

Lini një koment