Tentativa për vjedhje llogarish në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Mos klikoni në linke të dyshimta
Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Policia e Shtetit ka informuar qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe linkeve mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive të WhatsApp.
Sipas njoftimit të Policisë, individët që synojnë mashtrimin, dërgojnë linke për të votuar një konkurs ose për të konfirmuar një veprim, më pas, i kërkojnë përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia e Shtetit apelon për kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp.
Policia e Shtetit informon qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.
Mashtruesit dërgojnë linke me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim. Më pas, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.
Policia e Shtetit këshillon qytetarët:
Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur;
Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd;
Aktivizoni funksionin Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin WhatsApp;
Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja.
Mbroni të dhënat tuaja! Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike