Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiTeqeja Bektashiane në Michigan mban të mbyllur përkohësisht Tyrben pas incidentit të vandalizmit

Teqeja Bektashiane në Michigan mban të mbyllur përkohësisht Tyrben pas incidentit të vandalizmit

Teqeja Bektashiane Shqiptare në Michigan ka bërë publik një njoftim të rëndësishëm për besimtarët dhe vizitorët, lidhur me masat e marra pas një akti vandalizmi të ndodhur vitin e kaluar në ambientet e saj.

Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale nga Albanian American Bektashi Monastery, persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar Tyrben e Shenjtë Baba Rexheb, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në një nga vendet më të rëndësishme shpirtërore për komunitetin bektashian shqiptar në SHBA.

Në përputhje me kërkesat e autoriteteve dhe në bashkëpunim me policinë lokale të zonës Taylor–Detroit, si dhe me hetimet që vijojnë nga prokuroria, Këshilli Administrativ i Teqesë ka vendosur që dera e Tyrbes të qëndrojë e mbyllur përkohësisht. Ky vendim është marrë për të garantuar sigurinë e besimtarëve dhe për të mbrojtur integritetin e vendit të shenjtë.

Megjithatë, drejtuesit e Teqesë kanë bërë të ditur se vizitat fetare (zijaretet) nuk janë ndaluar plotësisht. Besimtarët që dëshirojnë të hyjnë në Tyrbe duhet të paraqiten fillimisht në zyrën e sekretariatit pranë Teqesë ose të kontaktojnë përmes numrit të telefonit të publikuar, në mënyrë që të organizohet hapja e derës dhe kryerja e riteve përkatëse.

Sipas njoftimit, shërbimi për hapjen e Tyrbes është aktiv çdo ditë, nga ora 10:00 e paradites deri në 7:00 të mbrëmjes, duke mundësuar kështu vazhdimin e praktikave fetare në mënyrë të kontrolluar.

Teqeja ka shprehur falënderim për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e komunitetit, ndërsa mbetet në pritje të përfundimit të hetimeve dhe rikthimit të plotë të normalitetit në këtë institucion me rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore për shqiptarët në diasporë.

Lini një koment