Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Te dobishme›Tetori, muaji rozë: ku bëhen mamografi falas për gratë pa sigurim në Michigan

Tetori, muaji rozë: ku bëhen mamografi falas për gratë pa sigurim në Michigan

Programi shtetëror BCCCP/BC3NP mbulon mamografinë, testin Pap dhe vizitat pasuese për gratë 40–64 vjeç me të ardhura deri në 250% të nivelit federal të varfërisë — ja telefonat në Wayne, Oakland dhe Macomb

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, dhe për gratë pa sigurim shëndetësor në Michigan ekziston një program që i bën kontrollet parandaluese krejt falas. Siç njofton Michigan Department of Health and Human Services (MDHHS), programi shtetëror Breast and Cervical Cancer Control Navigation Program — i njohur shkurt si BC3NP, dikur BCCCP — finanzohet nga Qendrat Federale për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe mbulon mamografinë, testin Pap dhe vizitat pasuese për gratë që nuk e përballojnë dot koston.

Kualifikohen gratë e pasiguruara ose të nën-siguruara, me të ardhura në ose nën 250 për qind të nivelit federal të varfërisë. Për shërbimet e gjirit — mamografi, ekografi dhe biopsi pasuese — mosha e pranimit është 40 deri në 64 vjeç, ndërsa për ato të qafës së mitrës — test Pap/HPV dhe kolposkopi — mosha është 21 deri në 64 vjeç.

Në tre qarqet e metro Detroitit — Wayne, Oakland dhe Macomb — shërben programi Tri-County BCCCP, që arrin përmes telefonit (888) 242-2702. Në shkallë shteti, linja e BC3NP-së është (844) 446-8727, pra (844) I-GOT-SCR, ku një navigator i programit ndihmon gruan hap pas hapi — nga caktimi i takimit deri te mbërritja në klinikë.

Ndihma nuk mbaron te kontrolli. Nëse gjatë kontrollit diagnostikohet kancer, programi nuk paguan trajtimin, por gruaja mund të kualifikohet për një program special Medicaid përmes BC3NP-së që mbulon të gjitha shpenzimet mjekësore gjatë trajtimit. Dhe nëse keni sigurim, por me një deductible kaq të lartë sa ndjekja pas kontrollit bëhet e papërballueshme, naviguesit e programit mund të ndihmojnë në pagesën e vizitave pasuese — kështu që ia vlen të telefononi edhe në këtë rast.

Kontrolli i hershëm shpëton jetë: kanceri i gjirit i zbuluar në fazën e parë ka shkallë mbijetese afër 100 për qind në pesë vjet. Tetori rozë është ftesa — telefononi sot.

Lini një koment