E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›“TheiPaper”: Tirana, jo vetëm destinacion turistik, por edhe një pikë referimi për artin e koktejeve në Ballkan

“TheiPaper”: Tirana, jo vetëm destinacion turistik, por edhe një pikë referimi për artin e koktejeve në Ballkan

– Tirana, një nga destinacionet më ekonomike për një udhëtim të shkurtër në Ballkan, po tërheq vëmendjen edhe për baret e koktejeve, ku mjeshtër të miksologjisë krijojnë pije origjinale me përbërës vendas, me çmime që nisin nga 6,50 paund (rreth 750 lekë), shkruan Tamara Hinson në një artikull të botuar në median britanike “TheiPaper”.

Gazetarja e udhëtimeve, Hinson përshkruan përvojën e saj në kryeqytetin shqiptar, duke vënë në dukje zhvillimin e kulturës së koktejeve dhe ndërthurjen e traditave vendase me krijimtarinë bashkëkohore.

Sipas autores, Tirana ka një qendër kompakte, çka e bën të lehtë lëvizjen nga një bar në tjetrin dhe eksplorimin e recetave të ndryshme.

Ajo thekson se, pavarësisht zhvillimit të shpejtë dhe rritjes së numrit të turistëve, qyteti vijon të jetë një destinacion i përballueshëm ekonomikisht.

Sipas të dhënave të platformës “Numbeo”, çmimet e restoranteve në Tiranë janë rreth 49% më të ulëta se në Londër.

Hinson kujton se përshtypja e saj e parë për kryeqytetin, ishte toleranca ndaj pirjes së duhanit në ambiente ku shërbehet ushqim dhe pije.

Shqipëria, pas rreth 50 vitesh izolimi nga bota deri në fillim të viteve 1990, është shndërruar në një destinacion gjithnjë e më të preferuar turistik.

Autorja vë në dukje se numri i vizitorëve në Shqipëri është rritur me 85% gjatë periudhës 2019–2025, ndërsa Tirana është përfshirë në itineraret e shumë turistëve të huaj.

Gjatë vizitës, gazetarja ndalet edhe te disa prej elementeve karakteristike të qytetit, përfshirë parqet ku ndodhen bunkerë të ripërdorur për qëllime kulturore.

Ndër ta përmend Bunk’Art 2, në rrugën “Abdi Toptani”, ku ekspozitat artistike dhe instalacionet, trajtojnë periudhën e përndjekjeve politike në Shqipëri.

Megjithatë, fokusi kryesor i udhëtimit të saj ishte baret bashkëkohore të koktejeve, të drejtuara nga miksologë profesionistë, të cilët eksperimentojnë me përbërës tradicionalë dhe shije të pazakonta.

Një prej ndalesave të para ishte “Spy Speakeasy”, një bar i fshehur në bulevardin “Bajram Curri”.

Autorja tregon se kaloi rreth 10 minuta përpara një ndërtese pa shenja dalluese, duke u përpjekur të kuptonte se si mund të hynte në ambientin që kërkonte.

Pasi trokiti në derën metalike, një hapje e vogël u zbulua dhe dikush e pyeti për arsyen e vizitës.

Pas një përgjigjeje të pazakontë, se kishte ardhur për të riparuar një aparat fotografik, dera u hap dhe ajo hyri në një ambient ku dritat e qirinjve, mobiljet antike dhe raftet me shishe, krijonin atmosferën e një laboratori të vjetër.

Barmeni Henry, i cili punon me përbërës të siguruar nga ferma vendase, i shërbeu një koktej të quajtur “Blotto”, me pisko, ananas të kripur dhe mjaltë.

Pija, që fillimisht nuk i tërhoqi vëmendjen autores, por e bindi me butësinë e shijes.

Sipas barmenit, kjo vinte nga përdorimi i hirrës, ndërsa ananasi fermentohej në laboratorin e barit dhe mjalti sigurohej nga veriu i Shqipërisë.

Një tjetër koktej që provoi ishte “Jake Walk”, i përgatitur me kajsi të pjekura dhe uthull.

Nga “Spy Speakeasy”, gazetarja u drejtua drejt “Nouvelle Vague”, pesë minuta larg në këmbë, duke e cilësuar atë si lokalin e parë shqiptar që u përfshi në listën e “50 bareve më të mira në botë”, duke zënë vendin e 28-të në vitin 2025.

Me mure shumëngjyrëshe, disqe vinili dhe një dekorim që të kujton një restorant meksikan, “Nouvelle Vague” është një tjetër shembull i zhvillimit të kulturës së koktejeve në Tiranë.

Këtu, vëmendja përqendrohet te përdorimi i produkteve tradicionale shqiptare, veçanërisht rakisë, një pije e fortë alkoolike e preferuar nga brezat e vjetër, por që sipas barmenëve po humbet gradualisht popullaritetin mes të rinjve.

Kryebarmeni Mariol Djata shpjegon se puna me rakinë paraqet sfida, për shkak të përqindjes së lartë të alkoolit, rreth 45%, ndaj përzgjedhja e përbërësve të tjerë, është thelbësore për të ruajtur dhe nxjerrë në pah shijen e saj.

Një prej krijimeve të tij është “Black Sabah”, një koktej me kafe turke, misër të thekur, mjaltë, raki dhe rum.

Emri “Sabah”, që në turqisht do të thotë mëngjes, lidhet me një zakon të dikurshëm të shqiptarëve, të cilët, siç shpjegon Djata, nisnin ditën me kafe turke dhe një gotë raki.

Misri dhe mjalti i japin pijes një shije më të butë, duke theksuar notat e çokollatës që vijnë nga kafeja.

Një tjetër krijim është “Nou Whey”, me qumësht lajthie, fasule tonka, lule shtogu dhe raki dardhe.

Përbërësit me shije më të ëmbël dhe aromatike, përdoren për t’i afruar klientët e rinj me rakinë, ndaj së cilës, sipas barmenit, ata ende kanë rezerva.

Artikulli sjell gjithashtu një lidhje mes koktejeve moderne dhe periudhës së komunizmit në Shqipëri.

Sipas Djata-s, në atë kohë familjet me më pak të ardhura, mbështeteshin kryesisht te buka dhe çaji i malit.

Disa nga pijet e tij përfshijnë shurup misri të fermentuar, një përbërës ekonomik që përdorej gjatë asaj periudhe.

Ndër koktejet që autorja vlerësoi më shumë ishte “English Climber”, me bazë xhini dhe çaj mali, një pije që shqiptarët tradicionalisht e përgatisnin në shtëpi me bimë të egra. Çmimi i saj ishte 8,31 paund.

Djata, i cili së fundmi ishte ftuar në Indi për të marrë pjesë në aktivitete të posaçme në disa prej bareve më të mira të Goas, vlerësoi shkëmbimin e përvojave mes profesionistëve, si një nga faktorët që po ndihmojnë në zhvillimin e kulturës së koktejeve në Tiranë.

Edhe “Nouvelle Vague” fton miksologë nga vende të ndryshme për të prezantuar krijimet e tyre.

Një tjetër ndalesë e gazetares ishte “Radio Bar”, një lokal më i frekuentuar, i njohur për dekorin e veçantë, me objekte të shumta dekorative dhe mobilie të stileve të ndryshme.

Lokali po ndihmon në ndryshimin e perceptimit të shqiptarëve për koktejet, duke prezantuar kombinime të reja shijesh.

Ndër pijet që ofron janë “Algroni”, një variant i koktejit Negroni me rozmarinë, “Balkan Collins”, ku reçeli i boronicës vendase i jep një shije të veçantë koktejit “Tom Collins”, si dhe “Fig Sour”, i përgatitur me uiski shqiptar dhe shurup fiku.

Sipas autores, popullariteti i “Radio Bar” është një tregues i rritjes së interesit për këtë lloj kulture gastronomike, veçanërisht mes të rinjve në të 20-at dhe turistëve të huaj.

Ndërkohë, brezat më të vjetër vijojnë të frekuentojnë kryesisht, kafenetë dhe baret tradicionale të qytetit.

Përshtypjen përfundimtare gazetarja e krijoi në hotelin “Tirana Marriott”, ku priste të gjente një menu standarde pijesh, por u befasua nga cilësia e koktejeve.

Ajo veçon “Nomad”, të përgatitur me raki trëndafili dhe mandarinë, si dhe “Normandy Nocturne”, që kushtonte 6,50 paund dhe kombinonte rakinë e mollës, bitter-in me çokollatë dhe kafe të tymosur.

Në përfundim, Hinson shprehet se kultura e koktejeve në Tiranë, është një prej atraksioneve që meriton vëmendje, duke theksuar se kryeqyteti shqiptar po ndërthur gjithnjë e më shumë, traditat e veta me krijimtarinë e re gastronomike.

Ajo madje planifikon të provojë të përgatisë vetë një prej koktejeve që provoi gjatë udhëtimit, duke menduar me humor se mund të ndjekë edhe zakonin e gjyshërve të barmenit Mariol, duke e nisur ditën me një gotë raki. /

Lini një koment