Tirana mbledh mbi 600 investitorë nga BE dhe Ballkani Perëndimor, Ibrahimaj: Shqipëria synon më shumë investime në industri dhe teknologji
Në Tiranë zhvillohet edicioni i dytë i Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, me mbështetjen e Komisionit Europian.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit prezantoi gjatë fjalës së saj në konferencë potencialin ekonomik të Shqipërisë dhe kërkoi projekte të përbashkëta në energji, industri dhe teknologji, duke theksuar se rajoni duhet të bëhet pjesë e zinxhirëve strategjikë të prodhimit europian.
Tirana mbledh mbi 600 investitorë, sipërmarrës dhe vendimmarrës nga Bashkimi Europian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor. Aktiviteti, i organizuar me mbështetjen e Komisionit Europian, synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian, si dhe të krijojë mundësi konkrete për investime të reja në sektorët strategjikë.
Ministrja Ibrahimaj vuri theksin te nevoja për të kaluar nga diskutimet dhe angazhimet politike drejt projekteve të financuara dhe të zbatueshme, duke nënvizuar se interesi i investitorëve të huaj për rajonin duhet të shoqërohet me mekanizma konkretë financiarë.
“Është nder i madh për mua t’ju mirëpres në Tiranë në edicionin e dytë të kësaj konference”, u shpreh Ibrahimaj, duke kujtuar se përvoja e takimit të parë konfirmoi interesin e investitorëve të huaj për Ballkanin Perëndimor, por evidentoi gjithashtu nevojën për një qasje më konkrete ndaj projekteve të investimit.
“Kjo përvojë konfirmoi interesin e investitorëve të huaj për rajonin tonë. Po kështu, na rikujtoi se zotimet politike duhet të shoqërohen me projekte që janë të investueshme dhe me mekanizma financiarë të aftë që të bëjnë bashkë kapitalin privat dhe publik”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, objektivi i këtij edicioni është që konferenca të mos mbetet vetëm një hapësirë diskutimi mes institucioneve dhe biznesit, por të shërbejë si një instrument për të konkretizuar investimet dhe për të vënë në lëvizje kapitalin.
“Ambicia jonë është që të shkojmë një hap më tej, nga dialogu dhe vendimet për investime te lëvrimi i kapitalit”, theksoi Ibrahimaj.
Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike, ministrja theksoi se Europa po hyn në një fazë rishikimi të strategjive të saj industriale, energjetike dhe teknologjike. Sipas saj, siguria e furnizimit, autonomia strategjike dhe tranzicioni drejt një ekonomie të gjelbër po ndryshojnë mënyrën se si kontinenti organizon prodhimin dhe marrëdhëniet ekonomike.
“Evropa po rikonsideron se si dhe ku do të prodhojë, si siguron energjinë e saj dhe si siguron teknologjinë mbi të cilën varet begatia e saj në të ardhmen”, u shpreh ajo.
Ibrahimaj nënvizoi se riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit dhe nevoja për të reduktuar varësitë nga tregjet e largëta krijojnë mundësi të reja për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat mund të integrohen më ngushtë në ekonominë dhe industrinë europiane.
“Nevoja për autonomi strategjike, riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit dhe tranzicioni në një ekonomi të gjelbër po riformësojnë peizazhin industrial të Europës. Ballkani Perëndimor duhet të ketë vendin e tij”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, afërsia gjeografike me tregjet europiane, potenciali sipërmarrës, kapacitetet teknologjike dhe përafrimi gradual me standardet e Bashkimit Europian janë elemente që e bëjnë rajonin një partner me rëndësi për ekonominë europiane.
“Afërsia jonë në tregjet europiane, talenti sipërmarrës dhe kapacitetet teknologjike, si dhe linjëzimi progresiv drejt standardeve europiane, e bëjnë rajonin një ofertë bindëse”, tha Ibrahimaj.
Gjatë fjalës së saj, ministrja prezantoi edhe treguesit ekonomikë të Shqipërisë për pjesën e parë të vitit 2026, duke i cilësuar ata si një bazë të rëndësishme për fazën e ardhshme të zhvillimit ekonomik.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Ibrahimaj, ekonomia shqiptare është rritur me rreth 3.6%, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur në rreth 1.14 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ministrja bëri të ditur gjithashtu se papunësia është në nivelin 8.3%, ndërsa rritja mesatare bruto e pagave ka arritur në 10%.
“Këto shifra përbëjnë një themel të shëndoshë”, u shpreh ajo, duke theksuar se sfida e radhës për ekonominë shqiptare nuk është vetëm tërheqja e kapitalit të huaj, por edhe ndikimi që këto investime do të kenë në transformimin e strukturës ekonomike të vendit.
Sipas Ibrahimajt, zhvillimi ekonomik në vitet e ardhshme do të varet gjithnjë e më shumë nga rritja e produktivitetit, përthithja e teknologjive të reja dhe zgjerimi i kapaciteteve të dijes.
“Faza e radhës në zhvillimin e Shqipërisë do të formësohet nga kapacitetet e produktivitetit, teknologjitë e përthithura dhe baza e njohurive. Ne duam që investimet e huaja direkte të lënë një gjurmë jetëgjatë në të gjithë këtë transformim e zhvillim”, deklaroi ministrja.
Ajo theksoi se investimet duhet të shkojnë përtej krijimit të kapaciteteve të reja ekonomike, duke kontribuar në modernizimin e prodhimit, transferimin e teknologjisë dhe rritjen e vlerës së produkteve shqiptare.
Një nga propozimet kryesore të paraqitura nga Ibrahimaj në konferencë ishte eksplorimi, në bashkëpunim me Komisionin Europian, i mundësive për zhvillimin e projekteve me rëndësi dhe interes të përbashkët europian në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja argumentoi se përafrimi i legjislacionit dhe standardeve me Bashkimin Europian duhet të shoqërohet me integrim real industrial, përmes projekteve që lidhin kapacitetet dhe burimet e vendeve të rajonit me nevojat e industrisë europiane.
“Linjëzimi rregullator duhet të përkthehet edhe në integrimin industrial”, u shpreh Ibrahimaj, duke propozuar që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të eksplorojnë së bashku me Komisionin Europian mundësinë e krijimit të projekteve të përbashkëta.
Sipas saj, synimi është të bashkohen investimet plotësuese në të gjithë rajonin, duke shfrytëzuar burimet natyrore, energjinë e gjelbër, kapacitetet kërkimore dhe infrastrukturën prodhuese për të përmbushur nevojat strategjike të industrive europiane.
“Të lidhim burimet tona natyrore, energjinë e gjelbër, kapacitetet kërkimore dhe kapacitetet prodhuese brenda nevojave strategjike që kanë industritë europiane”, ishte propozimi i ministres.
Në këtë kuadër, Ibrahimaj veçoi lëndët e para dhe përpunimin e tyre si një nga fushat ku mund të ndërtohen zinxhirë të rinj furnizimi dhe bashkëpunimi industrial. Shqipëria, sipas saj, ka potencial për të kontribuar përmes burimeve minerare, kapaciteteve të energjisë së rinovueshme dhe infrastrukturës ekzistuese industriale.
“Lëndët e para bazë dhe përpunimi i tyre ofrojnë një bazë premtuese si pikënisje. Burimet minerare të Shqipërisë, energjia e përtëritshme dhe infrastruktura ekzistuese industriale kontribuojnë për një zinxhir furnizues me aftësi përtëritëse, me ambicien që të shkojmë përtej tradicionales”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të një strategjie investimi që të orientojë kapitalin drejt sektorëve me potencial të lartë dhe të krijojë lidhje më të forta mes ekonomisë shqiptare dhe tregut europian.