Tirana mbledh mbi 600 investitorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, Ibrahimaj: Shqipëria synon më shumë investime në industri dhe teknologji
Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor zhvillohet në Tiranë me mbështetjen e Komisionit Europian. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kërkoi kalimin nga dialogu politik te projektet konkrete dhe financimi i investimeve, duke vënë në dukje rritjen ekonomike dhe potencialin e Shqipërisë në energji, industri dhe burime minerare.
Mbi 600 investitorë, sipërmarrës dhe vendimmarrës nga Bashkimi Europian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Tiranë në edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, një aktivitet i organizuar me mbështetjen e Komisionit Europian, që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve në rajon.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës së saj në konferencë, theksoi se përvoja e edicionit të parë kishte konfirmuar interesin e investitorëve të huaj për Ballkanin Perëndimor, por kishte nxjerrë në pah edhe nevojën që angazhimet politike të përkthehen në projekte konkrete dhe mekanizma financiarë që bashkojnë kapitalin publik me atë privat.
“Ambicia jonë është që të shkojmë një hap më tej, nga dialogu dhe vendimet për investime te lëvrimi i kapitalit”, deklaroi Ibrahimaj, e cila falënderoi Komisionin Europian dhe partnerët ndërkombëtarë për angazhimin që kjo konferencë të shndërrohet në një platformë afatgjatë bashkëpunimi.
Ministrja u ndal te ndryshimet që po pëson ekonomia europiane, duke theksuar se kontinenti po rishikon mënyrën e prodhimit, sigurinë energjetike dhe kontrollin mbi teknologjitë nga të cilat varet zhvillimi i tij ekonomik. Sipas saj, nevoja për autonomi strategjike, riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit dhe tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër po krijojnë mundësi të reja për Ballkanin Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor duhet të ketë vendin e tij”, u shpreh Ibrahimaj, duke argumentuar se afërsia gjeografike me tregjet europiane, potenciali sipërmarrës, kapacitetet teknologjike dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Europian e bëjnë rajonin një partner me rëndësi për industrinë europiane.
Në prezantimin e saj, Ibrahimaj solli edhe treguesit ekonomikë të Shqipërisë për pjesën e parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të bëra publike nga ministrja, ekonomia është rritur me rreth 3.6%, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur në rreth 1.14 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ajo bëri të ditur gjithashtu se papunësia është në nivelin 8.3%, ndërsa rritja mesatare bruto e pagave ka arritur në 10%.
Megjithatë, sipas ministres, faza e ardhshme e zhvillimit ekonomik nuk mund të mbështetet vetëm te rritja e investimeve, por duhet të shoqërohet me rritjen e produktivitetit, përthithjen e teknologjive të reja dhe zgjerimin e bazës së njohurive. Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria synon që investimet e huaja të kenë ndikim afatgjatë në transformimin e ekonomisë dhe të krijojnë më shumë kapacitete prodhuese.
Një nga propozimet kryesore të paraqitura në konferencë ishte bashkëpunimi me Komisionin Europian për zhvillimin e projekteve me interes të përbashkët europian në Ballkanin Perëndimor. Sipas Ibrahimajt, këto projekte do të mundësonin bashkimin e investimeve plotësuese nga vendet e rajonit dhe krijimin e zinxhirëve të integruar të furnizimit për industritë europiane.
Në këtë kuadër, ajo vuri në dukje potencialin e Shqipërisë në burimet minerare, energjinë e rinovueshme dhe infrastrukturën ekzistuese industriale, duke argumentuar se këto kapacitete mund të shërbejnë si bazë për zhvillimin e një modeli të ri ekonomik, të orientuar drejt përpunimit të lëndëve të para dhe prodhimit me vlerë të shtuar.
Sipas ministres, sfida tashmë është që përafrimi rregullator me Bashkimin Europian të shoqërohet edhe me integrim real industrial, në mënyrë që Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit të bëhen pjesë e zinxhirëve strategjikë të prodhimit europian.
Konferenca në Tiranë synon të krijojë pikërisht këtë urë bashkëpunimi mes kapitalit europian dhe mundësive të investimit në Ballkanin Perëndimor, duke kaluar nga diskutimet dhe deklaratat politike drejt projekteve konkrete në sektorët strategjikë të ekonomisë.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.