E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaTirana pret në qershor ministerialin për Ukrainën

Tirana pret në qershor ministerialin për Ukrainën

Tirana do të jetë në qendër të diplomacisë rajonale në muajin qershor, kur do të mirëpresë një takim ministror të dedikuar për Ukrainën dhe zhvillimet e fundit të sigurisë në Evropë.

Kështu bën me dije ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili ka zhvilluar një takim me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha.

Në një postim në rrjetet sociale, ai thekson se biseda u fokusua te situata në Ukrainë, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së agresionit rus dhe çështjet e sigurisë evropiane.

Ministri rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën “që nga dita e parë e agresionit rus” dhe angazhimin për të vijuar këtë mbështetje në mënyrë të palëkundur. Dy palët diskutuan gjithashtu edhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ukrainës, si dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.


Një nga pikat kryesore të takimit ishte pikërisht organizimi i ministerialit që do të mbahet në Tiranë në qershor, i cili pritet të mbledhë përfaqësues të lartë për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë dhe sigurinë në Evropë.

Kujtojmë se më 28 shkurt 2024, kryeministri Edi Rama dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkruan “Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”. Ky traktat i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Ndërkohë, në maj të vitit të shkuar, më shumë se 50 liderë shtetesh nga mbarë Europa erdhën në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Europian.

Lini një koment