Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaTopçiu: Bashkimi i Maliqit me Korçën nuk është problem, nëse shërbimet ndaj qytetarëve nuk largohen

Topçiu: Bashkimi i Maliqit me Korçën nuk është problem, nëse shërbimet ndaj qytetarëve nuk largohen

Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, ka folur për herë të parë për propozimin që Bashkia e Maliqit të bashkohet me Bashkinë e Korçës, në kuadër të reformës së re territoriale.

Topçiu tha se ende nuk është e qartë se çfarë do të sjellë konkretisht reforma dhe se cilat do të jenë pasojat për statusin e qyteteve, kompetencat, financat dhe investimet.

Sipas tij, bashkimi me Korçën nuk përbën domosdoshmërisht problem, nëse shërbimet publike mbeten pranë qytetarëve dhe nuk vështirësohet marrja e tyre.

“Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë në kuptimin çfarë do të ndryshojë në qoftë se do të miratohet kjo reformë e re, cila do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave, i investimeve”, u shpreh Topçiu.

Ai theksoi se reforma kërkon më shumë se një ndryshim ligjor, pasi sipas tij duhet të shoqërohet edhe me ndryshime në ligjin për pushtetin vendor, financat vendore dhe kompetencat e qyteteve.

Topçiu tha se projektligji parashikon bashkimin e Bashkisë së Maliqit me Bashkinë e Korçës, ndërsa organizimi i brendshëm do të ndryshonte. Sipas tij, Maliqi do të vijonte të kishte strukturën e tij dhe njësitë administrative nuk do të vareshin drejtpërdrejt nga Korça.

“Nocioni që materiali i vjen në projektligj nuk është shkrirje, por është bashkim. Projektligji i propozuar parashikon që Bashkia Maliq të bashkohet me Bashkinë Korçë”, tha ai.

Kryebashkiaku i Maliqit bëri të ditur gjithashtu se po përgatit një material me qëndrimet dhe shqetësimet e tij për reformën, të cilin synon t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë.

Ai theksoi se debati nuk duhet të fokusohet te posti i kryetarit të bashkisë, por te mënyra se si reforma do të ndikojë te qytetarët.

“Për mua nuk duhet parë bashkia, pozicioni, ky organizim si një moment që duhet të qajmë hallin e një kryetari bashkie. Por unë mendoj që duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve venë më afër, sa u zgjidhen më lehtë, sa Maliqi do të ecë jo me këtë ritëm që ka ecur tani, po do të ecë më mirë, sa investime do të marrim më shumë, sa do t’u shërbejë qytetarëve”, u shpreh Topçiu.

Në këtë kuadër, ai tha se qëndrimi përfundimtar ndaj reformës duhet të përcaktohet duke parë efektet konkrete që ajo do të ketë mbi qytetarët dhe zhvillimin e territorit.

Lini një koment