Tornado EF-1 godet Wayne County, dëmton prona dhe rrëzon linja energjie
Një tornado ka prekur tokën në Wayne County të shtunën pasdite, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona, sipas një vlerësimi zyrtar nga Shërbimi Kombëtar i Motit në Detroit.
Sipas raportit, tornado është klasifikuar si EF-1, me shpejtësi maksimale të erës që arritën deri në 100 milje në orë (rreth 160 km/h). Fenomeni natyror ka qenë në tokë për rreth 3.25 milje (mbi 5 kilometra) dhe ka pasur një gjerësi maksimale prej 200 jardësh.
Tornado ka prekur tokën në orën 5:46 pasdite, në jug të Martz Road, mes Rawsonville Road dhe Hoeft Road, rreth dy milje në verilindje të zonës Willis në Wayne County. Nga aty, ajo ka lëvizur në drejtim verilindor, duke shkaktuar dëme përgjatë rrugës së saj.
Gjatë kalimit, një rimorkio e përdorur për aktivitete në fermë është përmbysur, ndërsa në zonën përgjatë dhe në jug të Hull Road, mes Elwell dhe Bak Roads, janë raportuar dëme të shumta: pemë të shkulura nga rrënjët, shtylla telefonike të thyer dhe një mur i madh i një hambari i shkatërruar nga forca e erës.
Duke vazhduar drejt verilindjes, tornado ka kaluar mbi Sumpter Road, ku ka rrëzuar linja energjie dhe degë pemësh, duke lënë pas një gjurmë dëmtimi në infrastrukturë dhe mjedis.
Fenomeni është zhdukur në orën 5:50 pasdite, pak përpara Savage Road në zonën e Belleville.
Fatmirësisht, deri më tani nuk janë raportuar viktima, por autoritetet vijojnë të vlerësojnë dëmet dhe të ndihmojnë banorët e prekur nga kjo stuhi e fuqishme që goditi rajonin e Metro Detroit.