Tragjedi në Kaliforni, dy parashutistë humbin jetën pas përplasjes në ajër
Aksidenti ndodhi pranë Liqenit Elsinore, gjatë një kampi trajnimi për gratë. Parashutat e dy sportistëve u ngatërruan pas përplasjes, duke bërë që të pësonin lëndime fatale.
Një ngjarje tragjike është regjistruar të premten në shtetin amerikan të Kalifornisë, ku dy parashutistë kanë humbur jetën pasi janë përplasur me njëri-tjetrin në ajër gjatë një hedhjeje me parashutë.
Sipas raportimit të The New York Times, përplasja ndodhi në një lartësi prej rreth 45 metrash, teksa dy parashutistët po përgatiteshin të uleshin pranë Liqenit Elsinore. Si pasojë e kontaktit, parashutat e tyre u ngatërruan, duke shkaktuar aksidentin.
Të dy personat pësuan lëndime të rënda dhe u transportuan me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk arritën të mbijetonin.
Një zëdhënës i kompanisë Skydive Elsinore bëri të ditur se aksidenti ndodhi gjatë zhvillimit të një kampi trajnimi për gratë, të organizuar nga kompania.
Ndërkohë, identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike.
Deirdre Vickers, zëdhënëse e Zyrës së Sherifit të Qarkut Riverside, konfirmoi se ngjarja është nën hetim për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit.