E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Tragjedia në Elbasan me dy viktima, zbardhen dyshimet e para për shkakun e shpërthimit në pallat

Tragjedia në Elbasan me dy viktima, zbardhen dyshimet e para për shkakun e shpërthimit në pallat

Shpërthimi i fuqishëm dhe zjarri që përfshiu një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan i morën jetën dy personave, Hamit Ibro, 69 vjeç, dhe Hatixhe Berisha, 82 vjeçe.

Trupi i pajetë i 69-vjeçarit u gjet pas disa orësh kërkimesh intensive, rreth orës 00:40. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i shpërthimit ka qenë prania e tepërt e gazit në banesën e tij. Dhjetë banorë të tjerë mbetën të dëmtuar, ndërsa pallati pësoi dëme të shumta materiale.

“Elbasan/ Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, shkruan Policia.

Lini një koment