Transportonin 9 emigrantë drejt kufirit, arrestohen 3 të rinj në Elbasan
Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Elbasanit, pasi u kapën duke transportuar 9 emigrantë nga vendet e treta, të cilët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Tranzit 4”, i finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Sektori kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Në pranga ranë shtetasit Aldi Dishnica, Mateo Tacelli, Klevi Nallbati, të tre banues në Korçë.
Sipas policisë, tre të rinjtë u kapën në flagrancë teksa transportonin me dy automjete 9 shtetas të huaj nga vendet e treta. Emigrantët dyshohet se kishin kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin e gjelbër në Korçë dhe po transportoheshin drejt pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, si dhe pesë aparate celulare.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.