Tritol lokalit të shqiptarit në Athinë, dy persona në kërkim! Kryebashkiaku: Larje hesapesh në botën e krimit
Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse, e vendosur në hyrje të një kafeneje në pronësi të një shqiptari, tronditi në orët e para të mëngjesit të së martës zonën e Nea Ionias në Athinë, në rrugën Sinopis, rreth orës 04:00, siç njofton Shqiptarja.com.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, siç njofton Shqiptarja.com: fasada dhe brendësia e kafenesë u dëmtuan rëndë, ndërsa u thyen edhe xhamat e bizneseve përreth. Fatmirësisht, nuk u raportuan persona të lënduar.
Momenti i shpërthimit u regjistrua nga kamerat e sigurisë së një biznesi aty pranë. Sipas mediave greke, personi i dyshuar që vendosi lëndën plasëse mbante helmetë dhe ishte në një motoçikletë së bashku me një person tjetër. Autoritetet greke janë në kërkim të dy personave të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Në vendngjarje shkuan zjarrfikësit dhe specialistët e departamentit për çaktivizimin e eksplozivëve (TEEM), ndërsa policia po heton motivet. Një element që po shqyrtohet është se në të njëjtin biznes ishin regjistruar të shtëna me armë zjarri gjatë vitit 2025, kur ambientet kishin një pronar tjetër.
Kryebashkiaku i Nea Ionias, Panagiotis Manouris, e cilësoi ngjarjen si larje hesapesh në botën e krimit dhe incidentin e dytë të këtij lloji pas një kafeneje në Kastamonu. Një banor i zonës tha se forca e shpërthimit ishte e jashtëzakonshme dhe se në fillim mendoi se ishte tërmet.