E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Teknologji›Trump: FBI-ja po heton lidhjen e shefit të Nvidia-s me një grua të dyshuar si spiune kineze

Trump: FBI-ja po heton lidhjen e shefit të Nvidia-s me një grua të dyshuar si spiune kineze

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se FBI-ja po heton rastin që përfshin drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe lidhjen e tij me një grua që dyshohet se ka bashkëpunuar me inteligjencën kineze.

Trump tha se kishte biseduar me Huangun të hënën, pas raportimeve se inteligjenca amerikane besonte se drejtuesi i kompanisë ishte shënjestër e një operacioni kinez të spiunazhit.

“E pyeta: A kishe ndonjë ide se ajo ishte spiune? Ai më tha: Nuk e kisha idenë se ishte spiune. Dhe unë vërtet e besoj”, deklaroi Trump para gazetarëve.

Presidenti konfirmoi më vonë në Shtëpinë e Bardhë se FBI-ja po merrej me çështjen, por nuk dha detaje për hetimin apo kohën kur kishte nisur ai. FBI-ja nuk pranoi të komentonte për BBC-në.

Pekini i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “krejtësisht të pabaza, spekulative dhe të hartuara për të njollosur Kinën”, transmeton Telegrafi.

Nvidia ka angazhuar një hetim të pavarur për rastin që përfshin Alice Huang, e dyshuar për spiunazh në favor të Kinës. Kompania tha se nuk ka arsye të besojë se sekretet e saj tregtare apo siguria kombëtare janë komprometuar.

Sipas një raportimi të New York Times, zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, ka punuar për Pekinin. Ajo nuk ka lidhje familjare me Jensen Huangun.

Gazeta raportoi se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u kishte dërguar një memorandum zyrtarëve të lartë në Uashington pranverën e kaluar, duke i paralajmëruar se shefi i Nvidia-s kishte një marrëdhënie të afërt me një person të dyshuar si spiune kineze.

Alice Huang ishte drejtoreshë menaxhuese e kompanisë singaporiane Megaspeed, e cila kishte pasur marrëdhënie biznesi me Nvidia-n.

Nvidia, kompania e dytë më e vlefshme në botë pas Apple, është një prej aktorëve kryesorë në garën teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës. Çipat e saj janë bërë thelbësorë për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Zbulimet për rastin shkaktuan reagime në tregjet financiare, duke i ulur vlerën e kompanisë me rreth 250 miliardë dollarë të hënën, pasi aksionet e saj ranë për më shumë se 4 për qind.

Rasti ka ngritur shqetësime edhe për shkak të rëndësisë strategjike të teknologjisë së Nvidia-s. Zyrtarët amerikanë i trajtojnë eksportet e çipave të kompanisë drejt Kinës si çështje të sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, të hënën, Jensen Huang dhe Nvidia u paditën në Kaliforni përmes një padie të propozuar kolektive nga aksionarët. Padia i akuzon ata për mashtrim të investitorëve, duke pretenduar se kanë fshehur lidhjet e drejtuesit të kompanisë me Alice Huang.

Sipas padisë, Nvidia ka dhënë informacione të pavërteta për marrëdhënien mes tyre, ndërsa gruaja dyshohet se ka tentuar të ndihmojë në kontrabandimin e produkteve të kompanisë drejt Kinës. BBC-ja ka kërkuar koment nga Nvidia për këtë çështje.

Trump: E besoj se nuk e dinte që ajo ishte spiune

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet disa herë, përfshirë edhe nga BBC-ja, se kur ishte informuar për marrëdhënien mes Huangut dhe gruas së dyshuar. Ai tha se kishte marrë informacion “për një periudhë kohore”, pa dhënë një datë të saktë.

Trump e përshkroi drejtuesin e Nvidia-s si një person “të nderuar” dhe u shpreh i bindur se ai do të dalë mirë nga hetimet.

“Shpresoj që të mos ketë probleme. Besoj se ai po vuan shumë”, tha presidenti amerikan.

Ai shtoi se e kishte telefonuar Huangun të hënën për të pyetur se si po ndihej dhe për ta pyetur drejtpërdrejt rreth akuzave.

Huang ka pranuar se kishte qenë “i pabesë” ndaj bashkëshortes së tij dhe ka kërkuar falje për lëndimin që i kishte shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre.

Të hënën, ai deklaroi se ishte “i përkushtuar për të mbrojtur Nvidia-n dhe për të mbështetur sigurinë kombëtare të Amerikës”, duke shtuar se do të bashkëpunojë me hetimin e nisur nga kompania.

Ai gjithashtu është ftuar të marrë pjesë javën e ardhshme në një seancë të përbashkët me dyer të mbyllura të disa komiteteve të Kongresit amerikan. Ende nuk dihet nëse do të paraqitet.

Në letrën e dërguar atij thuhet se seanca do të trajtojë protokollet e sigurisë së Nvidia-s kundër spiunazhit nga shtetet kundërshtare, si dhe kontaktet e tij me Alice Huang, të cilën dokumenti e përshkruan si një aset të inteligjencës kineze.

Rëndësia e çipave të Nvidia-s në garën SHBA-Kinë

Nvidia u themelua në vitin 1993 nga Jensen Huang dhe dy inxhinierë të tjerë. Fillimisht, kompania u përqendrua në prodhimin e çipave për industrinë e lojërave elektronike, por më vonë orientimi drejt inteligjencës artificiale e shndërroi në një prej kompanive më të fuqishme teknologjike në botë.

Për shkak të rëndësisë së çipave të saj në zhvillimin e inteligjencës artificiale, administrata amerikane ka vendosur më herët kufizime për shitjen e produkteve më të avancuara të Nvidia-s në tregun kinez.

Jensen Huang ka kundërshtuar vazhdimisht kufizimet ndaj eksporteve drejt Kinës, duke argumentuar se zhvillimi global i inteligjencës artificiale duhet të mbështetet në teknologjinë amerikane.

Në janar, administrata Trump njoftoi se do të lejonte shitjen e çipave H200 për klientët kinezë, por me kushte të caktuara.

Megjithatë, produktet më të avancuara të kompanisë, përfshirë superçipin GB200 Blackwell, vazhdojnë të jenë të ndaluara për tregun kinez. /Telegrafi/

Lini një koment