Trump: SHBA ka shëndetësinë më të mirë në botë, edhe pse “nuk i mbulon të gjithë”
Në intervistën telefonike për Fox News, presidenti sulmoi "Medicare for All" të El-Sayedit dhe paralajmëroi punëtorët e automjeteve se do të humbnin planet e tyre shëndetësore
Presidenti Donald Trump e përshkroi shëndetësinë amerikane si “më të mirën në botë”, po në të njëjtën frymë pranoi se ajo “nuk i mbulon të gjithë” qytetarët, njofton revista People. Deklaratat presidenti i bëri të dielën, më 25 tetor, në një intervistë telefonike për emisionin “Sunday Morning Futures” të Fox News, me moderatorin e ftuar Larry Kudlow, këshilltarin e tij kryesor ekonomik gjatë mandatit të parë. Biseda u zhvillua teksa Trump po përgatitej të nisej për tubimin e zgjedhjeve afatmesme në Michigan, në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers.
“Kam miq që kanë këto plane private shëndetësore, që u jepen nga kompani të mëdha — kompani sigurimesh, kompani shëndetësore — dhe i adhurojnë. Nuk është e shtrenjtë dhe është e shkëlqyer”, i tha Trump Kudlow-t, sipas People, duke pretenduar më tej se ka miq në Kanada që vijnë në SHBA për kurim mjekësor. “Kemi planet shëndetësore më të mira në botë. Tani, ajo nuk i mbulon të gjithë, por mbulon shumë njerëz”, vazhdoi presidenti.
Tema e shëndetësisë doli pasi Kudlow sulmoi “Medicare for All”, sistemin shëndetësor falas e të mbështetur nga shteti përmes taksave, të cilin e mbështesin politikanë si senatori Bernie Sanders dhe Abdul El-Sayed, kandidati demokrat që garon kundër Rogers-it në Michigan, raporton People. Sipas Kudlow-t, ky sistem — shtylla kryesore e fushatës së El-Sayedit — do t’i bënte punëtorët e sindikatës së automjeteve UAW në Michigan të humbnin “përfitimet bujare të sektorit privat”, ndërsa ai shprehu edhe pakënaqësi për përfshirjen në të të emigrantëve pa status të rregullt ligjor në SHBA.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të Kudlow-t se “Medicare for All” do ta dëmtonte UAW-në, Trump tha: “Thuaji asaj sindikate, thuaji punëtorëve të automjeteve se do ta humbasin planin e tyre shëndetësor”. “Është mjekësi e socializuar dhe nuk funksionon kurrë”, shtoi presidenti. “Është e shtrenjtë”, tha ai, siç njofton People.
Kudlow shprehu gjatë intervistës edhe shpresën që Trump ta ngrejë këtë temë në tubimin e fushatës më vonë gjatë ditës në Port Huron të Michiganit, për çka presidenti u përgjigj: “Do ta bëj”.
El-Sayed, ish-zyrtar progresist i shëndetit publik, e fitoi garën brenda Partisë Demokratike të Michiganit në gusht — një nga garat paraprake më të shtrenjta dhe më përçarëse të partisë në vitin 2026 — duke mundur deputeten Haley Stevens, e mbështetur nga strukturat e partisë, kujton People. Fushata e tij është përqendruar te “Medicare for All”, si edhe te taksimi i miliarderëve dhe kufizimi i ndikimit të parave të korporatave në politikë. Më 3 nëntor, El-Sayed do të përballet me republikanin Rogers për vendin e hapur të Michiganit në Senatin amerikan. Intervista gjysmëorëshe e Trumpit me Kudlow-n ishte e gjerë dhe preku disa tema, përfshirë zgjedhjet e ardhshme në Michigan.