Saturday, 20 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaTurizmi, strukturat akomoduese shënojnë rritje 19,7% në prill, kryesojnë italianët

Turizmi, strukturat akomoduese shënojnë rritje 19,7% në prill, kryesojnë italianët

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se numri total i vizitorëve në hotele dhe struktura të tjera akomoduese u rrit me 19,7% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Zgjerimi u nxit kryesisht nga udhëtarët e huaj apo jo rezidentët.

Këta të fundit u rritën me 22,6% në bazë vjetore në prill, ndërsa vizitorët rezidentë u shtuan me 12,9%, sipas të dhënave.

Turistët nga Italia përbënin tregun kryesor nga erdhën vizitorët që u vendosën në struktura akomoduese, me 23% të vizitorëve të huaj të akomoduar. Ata u pasuan nga Kosova me 13%, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania me nga 8%, si dhe Franca me 6%. Vizitorët nga vende të tjera përbënin 42% të totalit.

Pavarësisht rritjes më të fortë të akomodimit, net-qëndrimet u zgjeruan më ngadalë. Net-qëndrimet gjithsej u rritën me 5,6% nga një vit më parë. Për vizitorët rezidentë rritja ishte 3,9%, ndërsa për jo-rezidentët 6,3%.

Një panoramë e tillë tregon se udhëtimet e vizitorëve janë kryesisht afatshkurta diçka tipike për muajt e parë kur turizmi në vend përkufizohet nga turet kulturore ose lëvizjet e shkurtra të fundjavave.  Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele ishte 22,4% në prill, e pandryshuar nga i njëjti muaj i vitit të kaluar.

Shifrat tregojnë për një ecuri në rritje të turizmit diçka  që turoperatorët presin që të mbajë të njëjtën tendencë si viti e shkuar.

Lini një koment