Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiTurneu i Golfit i Kishës shen Palit siguron 23 mijë dollarë për festivalin e 4 Korrikut dhe aktivitetet e komunitetit

Turneu i Golfit i Kishës shen Palit siguron 23 mijë dollarë për festivalin e 4 Korrikut dhe aktivitetet e komunitetit

Mbështetja e sponsorëve, golfistëve dhe vullnetarëve shndërroi aktivitetin në një sukses të madh për komunitetin e Kishës katolike shqiptare te Shen Palit

Komuniteti i Kishës katolike shqiptare te Shen Palit festoi me krenari suksesin e madh të turneut vjetor të golfit, i cili u zhvillua më 17 maj dhe mblodhi plot 23 mijë dollarë për të mbështetur veprimtarinë e kishës dhe organizimin e Festivalit tradicional të 4 Korrikut.

Organizatorët e aktivitetit shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për të gjithë sponsorët, pjesëmarrësit, vullnetarët dhe donatorët që kontribuan në realizimin e këtij eventi. Falë bujarisë dhe angazhimit të tyre, turneu rezultoi një nga aktivitetet më të suksesshme të organizuara nga komuniteti gjatë këtij viti.

Turneu u organizua nga Nik Gjurashaj, i cili udhëhoqi përgatitjet dhe koordinimin e aktivitetit. Fondet e mbledhura do të përdoren për të mbështetur nevojat e vazhdueshme të kishës, si dhe për financimin e Festivalit të 4 Korrikut, një nga traditat më të dashura dhe më të rëndësishme të famullisë.

Ky festival, i cili mbledh çdo vit qindra familje dhe anëtarë të komunitetit, është kthyer në një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për besimtarët e kishës, por edhe për zonën përreth, duke ofruar aktivitete kulturore, argëtuese dhe sociale për të gjitha moshat. Kontributi i siguruar përmes turneut të golfit do të ndihmojë në ruajtjen dhe zgjerimin e kësaj tradite të rëndësishme komunitare.

Përfaqësuesit e Kishësse Shen Palitm vlerësuan veçanërisht mbështetjen e sponsorëve dhe të vullnetarëve, të cilët investuan kohë, energji dhe burime financiare për suksesin e aktivitetit. Sipas tyre, pjesëmarrja e gjerë dhe solidariteti i treguar pasqyrojnë forcën, unitetin dhe frymën e bashkëpunimit që karakterizon familjen e madhe të famullisë.

“Falënderojmë nga zemra të gjithë ata që morën pjesë dhe kontribuan në këtë aktivitet. Bujaria juaj ndihmon jo vetëm organizimin e festivalit, por edhe misionin e vazhdueshëm të kishës sonë në shërbim të komunitetit,” thuhet në mesazhin e falënderimit të publikuar pas përfundimit të turneut.

Në përmbyllje, drejtuesit e kishës shprehën urimet dhe bekimet e tyre për të gjithë mbështetësit e aktivitetit, duke theksuar se sukseset e tilla janë rezultat i bashkimit dhe përkushtimit të komunitetit.

Dom Fred Kala përcolli mesazhin e tij tradicional të mirënjohjes:

“Paqe dhe hir në Zotin tonë Jezu Krisht, prej të cilit vjen çdo mirësi.”

Komuniteti i Kishës se Shen Palit tashmë ka nisur përgatitjet për Festivalin e 4 Korrikut, duke pritur që ai të jetë një tjetër rast i veçantë për bashkim, festim dhe forcimin e lidhjeve mes familjeve dhe besimtarëve të zonës.

Lini një koment