U fut me Jet Ski në zonën e pushuesve në Ksamil, gjobitet me 500 mijë lekë drejtuesi dhe i bllokohet mjeti
Policia këtë të enjte ka gjobitur me 500 mijë lekë dhe ka bllokuar mjetin Jet Ski të një personi, pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë në Ksamil.
Sipas raportimeve, është gjobitur A. P., i cili ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
“Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit”, thuhet në njoftimin e policisë.