Monday, 28 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›U kap me mbi 2 kilogramë marihuanë në Vërmicë, Prokuroria ngre aktakuzë

U kap me mbi 2 kilogramë marihuanë në Vërmicë, Prokuroria ngre aktakuzë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë, Xh.K., i cili ndodhet në paraburgim nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, më 8 shtator 2026, rreth orës 19:30, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, i pandehuri dyshohet se ka importuar pa autorizim në Kosovë marihuanë, të cilën e kishte siguruar në territorin e Shqipërisë.

Prokuroria njofton se gjatë kontrollit në autobus, zyrtari policor kishte ndier aromën e substancës narkotike në pjesën e pasme, ku ishte ulur i pandehuri.

Gjatë kontrollit të çantës së tij janë gjetur dhe sekuestruar: 2 kilogramë e 162 gramë marihuanë; 2.13 gramë marihuanë dhe një peshore elektrike me këllëf.

Sipas Prokurorisë, droga dyshohet se ishte destinuar për t’u futur në Kosovë dhe më pas për t’u shpërndarë e ofruar për shitje në Ferizaj.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Telegrafi/

Lini një koment