E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›U kapën me mbi 40 kg kanabis që donin ta shisnin në qytet, në pranga dy persona në Laç!

U kapën me mbi 40 kg kanabis që donin ta shisnin në qytet, në pranga dy persona në Laç!

Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi u kapën duke transportuar 40.3 kilogramë kanabis, të cilën dyshohet se do ta shisnin në qytet.

Lënda narkotike u gjet gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin dy të rinjtë, në rrugën e fshatit Selitë. Nga hetimet paraprake dyshohet se ata e kishin siguruar drogën në fshatin Mafsheq, në Malësinë e Krujës, dhe po e transportonin drejt Laçit për shitje.

Njoftimi i policisë:

“DVP Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Storm”, goditet një rast i tentativës për të shitur lëndë narkotike.

Sekuestrohen 40.3 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa (e ndarë në 4 thasë), 1 peshore, 1 automjet dhe 1 celular.

Vihen në pranga 2 shtetas të cilët u kapën në flagrancë duke e transportuar lëndën narkotike në qytetin e Laçit, me qëllim shitjen.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Njësia e Sigurisë Publike Shkodër, si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizoi operacionin e koduar “Storm”.

Gjatë operacionit, në rrugën e fshatit Selitë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin me drejtues shtetasin H. M. dhe pasagjer shtetasin H. K., në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën 4 thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 40.3 kilogramë).

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas e kishin siguruar lëndën narkotike në Malësinë e Krujës, në fshatin Mafsheq dhe po e transportonin në qytetin e Laçit, me qëllim shitjen.

Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit H. M., 25 vjeç, banues në Malbardhë, Kurbin dhe H. K., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 40.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 1 peshore manuale dhe automjeti tip “Mitsubishi”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”.

Lini një koment