UKRAINË – Sulmet ruse shkaktojnë probleme në furnizimin me energji elektrike
KIEV, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Ukraina ka akuzuar Rusinë për sulme masive ndaj infrastrukturës së saj energjetike, në prag të dimrit, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa rajone të vendit.
Centrali bërthamor i Ukrainës ështe detyruar të ulë prodhimin e energjisë për shkak të sulmeve ndaj rrjetit elektrik, deklaroi sonte zëvendësministri i Energjisë, Artem Nekrasov.
Ai shtoi se sot shumë konsumatorë në gjashtë rajone të vendit kishin mbetur pa energji elektrike si pasojë e sulmeve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Moskën se po bombardon vendin pothuajse gjatë gjithë kohës.
Në një postim në platformën X, ai shkroi se punimet për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e furnizimit me energji po zgjasin më shumë për shkak të sulmeve të përsëritura.
Situata është veçanërisht e vështirë në kryeqytetin Kiev, ku, sipas presidentit Zelensky “banorët dhe bizneset po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë që zgjasin shumë orë”.
Probleme janë raportuar gjithashtu në rajonet e Kievit, Zhytomirit, Çernihivit, Sumit, Poltavës, Harkivit, Çerkasit, Vinicës dhe Donetskut.
Në rajonet jugore të Ukrainës po zbatohen ndërprerje emergjente të energjisë elektrike.
Rusia e ka vazhduar luftën kundër Ukrainës prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë.
Dimrin e kaluar, miliona banorë u detyruan të përballonin për periudha të caktuara temperatura deri në disa dhjetëra gradë nën zero, pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë.